De Biazi flet për darkën me Ançelotin: Çfarë duhet të ndryshojë Hysaj

Xhani De Biazi ka treguar në një intervistë për “Radio Marte” opinionin që ka ai për fillimin e sezonit të Napolit, me Karlo Ançelotin në drejtim, duke treguar se kishte bindjen se ai ishte trajneri i duhur për skuadrën.

Ish-trajneri i Shqipërisë tregoi se me Ançelotin kishte kaluar edhe një darkë mjaft interesante gjatë kësaj periudhe.

“E njoh mirë prej kohësh Ançelotin, CV-ja e tij nuk ka nevojë për prezantim. Ai është një trajner i vlerësuar në të gjithë botën dhe një natë kemi pasur një shkëmbim idesh shumë të bukur gjatë një darke. Pas tre vitesh me Sarrin ishte e vështirë që të gjendej menjëherë skuadra por ai ia doli dhe shihej në dy përmbysjet ndaj Milanit dhe Lacios. Për Karlon ishte e rëndësishme të niste me këmbën e mbarë këtë vit”, shpjegoi De Biazi.

Një nga elementët që Ançeloti ka në dispozicion është edhe Elseid Hysaj, i kritikuar shpesh e nuk di të jetë ofensiv në lojën e tij nga mediat në Itali.

Por De Biazi e mendon ndryshe, thjesht këshillon mbrojtësin që të ndryshojë diçka në lojën e tij.

“Hysaj ka treguar që tani se ka cilësi të mira por duhet përmirësuar ende në disa aspekte. Por kjo do të ndodhë vetëm me punë dhe me kohë. Ai është një futbollist me shumë dinamizëm dhe është i aftë në të dy fazat e lojës. Ai thjesht duhet të pëmirësojë pasimin e fundit. Por sigurisht nuk do të ndryshojë stilin e tij të lojës me Ançelotin nga një moment në tjetrin”, shpjegoi De Biazi./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU