De Biazi dhe Tramexani “masakrojnë” Interin

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi dhe zëvendësi i tij, Paolo Tramexani, kanë analizuar paraqitjen e dobët që po bën Interi në Ligën e Europës. De Biazi ishte i ftuar në emisionin “Gol Collection” në “TV8”, ku komentoi humbjen e zikaltërve 3-1 në Pragë ndaj Spartës të enjten mbrëma. Tekniku kuqezi ka kritika të forta veçanërisht ndaj përgjumjes së Interit në aksionet nga loja e ndaluar.

“Për mua është e pashpjegueshme, pasi Interi ka një grup lojtarësh interesantë që mund të bëjnë mirë si në kampionat edhe në Ligën e Europës, por duhet të ndryshojë mendësi. Nuk mund të pësosh gol në minutën e 24-t sepse fle në topat joaktivë. Besoj se është mungesë e theksuar vëmendjeje që nuk mund t’u falet lojtarëve të këtij niveli, pasi e paguan shtrenjtë”, tha 60-vjeçari.

Sipas italianit, në këtë pikë përgjegjësia bie si mbi trajnerin ashtu edhe mbi futbollistët: “Trajneri duhej të ndërhynte për t’i zgjuar lojtarët. Megjithatë, një pjesë e mirë e këtyre lojtarëve kanë goxha përvojë në ndeshjet ndërkombëtare dhe duhet të reagojnë vetë”.

Ndërkohë Tramexani, nga studioja e programit “Zona 11 PM” në “Rai Sport” ka “kryqëzuar” mbrojtjen zikaltër dhe portierin Handanoviç. “Nëse e kishin mundësinë për ta shitur dy apo tre vjet më parë, duhej ta kishin bërë. Nuk është më i besueshëm dhe ka pësuar një rënie edhe në aspektin mendor”, u shpreh 46-vjeçari, i cili vetë ka veshur 26 herë fanellën zikaltër në sezonet 1992-1994.

Sipas tij, skuadra është e çekuilibruar dhe kjo dëshmohet qartësisht në fushën e lojës: “Tifozët e panë fitoren kundër Juventusit si një kthesë, një nisje të re për Interin. Me Empolin bënë një paraqitje të mirë, por të dhënat flasin qartë: e gjejnë përherë veten në disavantazh, dhe kjo për shkak të pavëmendjes së tyre”.

Skuadra e De Burit mban vendin e fundit në grup dhe në katër ndeshjet e mbetura do të synojë kualifikimin. Sipas Tramexanit, ky mision tani bëhet tepër i vështirë. “Interit i duhet të fitojë tri ndeshje dhe mund të mos mjaftojë. Mendoj se mesfusha është reparti më i mirë, por gabimet kanë ardhur gjithnjë në fazën mbrojtëse. Në sulm kanë cilësi, por kur pësojnë gol e kanë të vështirë të reagojnë. Presim rikthimin e Brozoviçit, i cili dukej se ishte lënë përfundimisht jashtë ekipit. Trajneri De Bur ka nevojë për kohë që t’ua përcjellë lojtarëve mentalitetin e vet. Kjo është shumë e rëndësishme, por duhen së paku katër muaj”, përfundoi numri dy i stolit të Shqipërisë.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU