Dashamir Shehi: Ekipi në paradhomën e Bashës nuk ka vlerë

Kreu i LZHK­-së, Dash Shehi, aleat i Partisë Demokratike, thotë se nuk duhet ekzagjeruar me protestat. Ai shprehet se protesta e 8 dhjetorit i dha një sinjal qeverisë. Por, sipas tij, nuk ka kuptim të vazhdohet me protesta të vazhdueshme.

Sipas Shehit, përveç muskujve, duhet treguar edhe mendja. Shehi ndërkohë, duke folur në një intervistë për gazetën Shekulli, kritikon njerëzit e zgjedhur nga Basha, që e këshillojnë atë për aksionet politike.

Z. Shehi! Disa nga aksionet e opozitës që u zhvilluan gjatë vitit 2015, i keni mbështetur dhe për disa të tjerë keni shprehur rezerva. Çfarë vlerësoni nga angazhimi politik i opozitës?

Ajo e datës 8 dhjetor qe e vlefshme dhe unë mendoj se asaj duhet t’i mbahemi. Unë jam i tezës që opozita duhet të tregojë forcën përmes protestës gjithëpopullore dhe me 8 dhjetor e tregoi. Njerëzit dolën në shesh, ishin me mijëra. Por nuk duhet ekzagjeruar me protesta të shpeshta, sepse mërziten njerëzit. Tani, përveç muskujve, duhet të tregojmë edhe mendjen, logjikën dhe frymën e aksioneve që të ndërmarrim për të ngritur besimin te shqiptarët, që, nëse këta zotërinjtë që janë qeveri po bëjnë keq, ne mund ta bëjmë mirë.

Zoti Basha ka paralajmëruar se në janar do të kemi sërish protesta. Jeni pro tyre?

Unë për vete do të preferoja që më shumë se sa protesta të bënim një program politik, i cili na ofron zgjidhje. E dyta duhet përzgjedhur një skuadër politike e ndryshme nga ajo që humbi zgjedhjet.

Pse kërkoni zoti Shehi vazhdimisht nga kreu i PD­së që të krijojë ekipin, kur dihet se zoti Basha tashmë e ka krijuar, madje dhe po e promovon?

Nëse Basha mendon që e ka krijuar ekipin atëherë të shohim rezultatet e tij. Duhet ta lançojë, ta popullarizojë këtë ekip se, në qoftëse ky ekip është një skuadër që rri në paradhomën e Bashës dhe në vetvete nuk përfaqëson asnjë vlerë, sigurisht që nuk është ndonjë ofertë e madhe për shqiptarët. Ekipi krijohet dhe testohet në terren, në ballafaqimin e ideve në përditshmërinë politike. Ka ikur koha kur hyjnë në lojë lojtarë të papërgatitur. Në këtë lloj fushe presupozohet se janë të mësuar lojtarët, nuk stërviten tani. Unë uroj që t’i zgjedhë më të mirët që të japin shpresë dhe që shqiptarët ta konsiderojnë ofertë PD­në, përndryshe po mendoj Basha që do të bëjë ndryshim në frymën e partisë po me të njëjtët personazhe na ka marrë lumi. Nga ana tjetër unë jam optimist që nëse arrijmë të krijojmë ekipin e duhur do të mund të rikuperojmë numrin e madh të votave që e majta mori përballë nesh në zgjedhjet e fundit parlamentare.

A ka ndonjë nismë të kësaj qeverie që do ta vlerësonit si të suksesshme gjatë vitit 2015?

Unë do të thoja që këtu dëshira për të vënë një formalizim të shtetit është. Qoftë në sistemin e taksave, qoftë në sistemin e energjisë dhe këto unë i konsideroj pozitive. Po shpesh mbi këta dy sektorë rëndon një lloj abuzivizmi që do të thotë që barazi në drejtësinë sociale nuk ka dhe kjo po thellon pakënaqësi. Në këtë gjurmë të madhe për formalizimin e ekonomisë për dënimin e informatorëve duhet fillohet siç thotë populli: demi kapet nga brirët. Këtu ne nuk po shohim as demin as brirët këtu shohim që shumica e shtetit merret me ca hallexhinj të vegjël. Duhet filluar të kapen abuzuesit e mëdhenj, gjë që nuk ka ndodhur. “Çmimin” e pasanikëve po e paguajnë fukarenjtë. Brenda kësaj atmosfere edhe punët e mira humbin.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU