DASH reagon për tensionet Kosovë-Serbi: Dy vendet të jenë krijuese në gjetjen e zgjidhjes

Departamenti amerikan i Shtetit i bën thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të tregohen krijues dhe elastikë në gjetjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Departamenti i Shtetit thotë se “tani është koha që palët të jenë krijuese dhe elastike. Zgjidhja duhet të vijë prej tyre dhe vetë ata të mbajnë përgjegjësi për të. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të dëgjojnë dhe të ndihmojnë palët në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët.”

Departamenti i Shtetit thotë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës është thelbësor për stabilitetin rajonal. Ai do të hapte gjithashtu një rrugë të qartë për të dy vendet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Shtetet e Bashkuara, – thuhet në deklaratë, – mbështesin fuqishëm dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.”

Komentet e Departamentit të Shtetit pasojnë idetë e hedhura kohëve të fundit për ndarjen tokësore të Kosovës e deri te shkëmbimi i territoreve, që nënkupton që veriu i Kosovës me shumicë serbe t’i bashkohet Serbisë në shkëmbim për luginën e Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë .

Deri tash idetë e tilla nuk janë hedhur në kuadër të bisedimeve dhe janë kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak të drojës për ndikimin që mund të kenë më gjerë në rajonin e Evropës Juglindore, që ende po rimëkëmbet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta të shekullit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet të dyja palëve pritet të rifillojnë në shtator dhe do të duhej të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese ligjore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës që ka hyrë në vitin e 11-të pavarësisë dhe Serbisë që vazhdon ta kundërshtojë atë.
/Voa/

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU