Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi priti sot në një takim Drejtorin e Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, i cili bëri thirrje që “Shqipëria të plotësojë rekomandimet e BE-së për hapjen e negociatave”.
Danielsson vlerësoi axhendën parlamentare si mbresëlënëse dhe në kohën e duhur, ndërsa theksoi rolin e Kuvendit në përballje me sfidat e integrimit, duke vlerësuar angazhimin dhe vullnetin e shprehur nga Ruçi në këtë drejtim.
Nga ana e tij, Kryetari i Kuvendit u shpreh se, “rekomandimet e Komisionit Evropian për Shqipërinë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE u mirëpritën nga institucionet dhe qytetarët shqiptarë”. Ruçi vuri në dukje se “mes forcave politike shqiptare nuk ka diferencime sa i përket rrugës së integrimit të vendit për në BE” dhe se “sa i takon integrimit, pavarësisht qasjeve të ndryshme të forcave politike, qëndrimi i tyre është i njëjtë”.
Në vijim, Kryetari i Kuvendit, Ruçi u përqendrua në progresin e bërë nga Kuvendi, në këtë legjislaturë të re, në drejtim të adresimit të saktë të rekomandimeve të raporteve të KE-së për Kuvendin. Ruçi përshkroi masat e marra për forcimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit, për forcimin e rolit mbikëqyrës dhe kontrollit parlamentar, për forcimin e transparencës parlamentare, forcimin e autonomisë financiare të Kuvendit, si dhe forcimin e kapaciteteve administrative të këtij institucioni.
Në mënyrë të posaçme, gjatë këtij takimi, Ruçi u ndal në veprimtarinë parlamentare të kësaj legjislature, duke nënvizuar hapat e hedhur në drejtim të konkretizimit të Reformës në Drejtësi, përmes miratimit të strukturave dhe organikës të institucioneve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje se Kuvendi shumë shpejt do të konkretizojë dhe ngritjen e Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore.
Ndërkaq, në fjalën e tij, Ruçi bëri me dije se, aktualisht Kuvendi po shqyrton dhe do të miratojë së shpejti ligjin për pakicat kombëtare, i cili ka kaluar procesin e konsultimit me shoqërinë civile dhe është miratuar në dy komisione parlamentare. Po ashtu, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje vullnetin dhe angazhimin e tij që, shumë shpejt Kuvendi të miratojë Kodin e Etikës, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të etikës parlamentare në linjë me standardet evropiane.
Në këtë takim ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Romana Vlahutin dhe nga pala shqiptare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla./b.d