“Bashkia e Durrësit ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë për urbanizimin e plotë të të gjitha zonave informale dhe që në fillim të vitit të ardhshëm ky projekt do të konkretizohet me urbanizimin e plotë të Porto Romanos”, ka deklaruar kryebashkiaku Vangjush Dako në takimin që Ministria e Zhvillimit Urban realizoi me banorë të Porto Romanos për përfshirjen e kësaj zone në projektin pilot për zhvillimin dhe urbanizimin e zonave informale.
Dëgjesat publike në kuadër të projektit që MZHU dhe REC në bashkëpunim me NJQV dhe ALUIZNI, që janë ndërmarrë për disa zona informale të shtrira në të gjithë vendin me temë: “Urbanizimi dhe integrimi social-mjedisor i zonave informale në drejtim të ndërgjegjësimit dhe pjesëmarrjes së komunitetit” kanë vazhduar në zonën informale “Lagjja 15” Porto Romano, Durrës.
Dako shprehu bindjen se ky projekt do të fillojë të bëhet realitet që në fillimin e vitit të ardhshëm, ndërsa ne si bashki kemi vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e administratës tonë në mënyrë që të rrisim cilësinë e jetës për këta banorë.
Dako shtoi se ashtu sic kemi bërë në zonën që tashmë me të drejtë i themi Durrësi i ri, ku kemi realizuar ndërtimin e 10 rrugëve të reja me të gjithë parametrat bashkëkohorë, si kanalizime, ndricim dhe gjelbërim, ashtu do të bëjmë edhe për zonat e tjera.
“Jo shumë larg nga këtu, afro 1 km, ne do të kemi zonën e lirë ekonomike, e cili do të jetë investimi më i madh në 25 vjet që është bërë në vendin tonë. 483 ha është sipërfaqja e kësaj zone që do të shfrytëzohet për industrinë e lehtë, platforma panairesh, prodhime manifakturash, etj duke qenë kështu një platformë për biznesin e perendimit në vendin tonë”.
Dako deklaroi para banorëve të Porto Romanos se zona e lirë ekonomike që u miratua me vendim qeverie në afërsi të kampusit të universitetit në Spitallë do të hapë mijëra vende pune, në të cilën pritet të punësohen mijëra banorë të Spitallës, Porto Romanos dhe të të gjithë Durrësit.