Çmimi për sheshin “Skënderbej”, Paloka: U ndërtua me paratë e vjedhura

Sheshi “Skënderbej” fitoi një çmim ndërkombëtar si hapësira më e mirë publike për vitin 2018.

Gjatë ditës së sotme, në shesh u zhvillua një aktivitet me këtë rast ku ishin të pranishëm kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj.

Pas aktivitetit ka reaguar edhe nënkryetari i PD Edi Paloka i cili ka publikuar edhe një foto ku sipas tij duken dokumentet e bashkisë që janë varur për t’u tharë pasi bashkia u përmbyt nga reshjet para dy ditësh.

“I vetmi çmim që mund të marrin dhe ta meritojnë plotësisht Rama dhe Veliaj, është ai i pafytyresisë dhe hajdutërisë bashkë. Vetëm dy ditë pasi Tirana u përmbyt, kur dhe “saçi” (që këta e quajnë shesh) u kthye në kënetë llumi, kur dhe vetë ambjentet e bashkisë u përmbytën, pikërisht për shkak të “saçit”-“shesh”, kanë guximin të dalin e të mburren”, thotë Paloka.

Ai hedh edhe një akuzë të rëndë duke kompromentuar edhe vendimin e jurisë ndërkombëtare në Barcelonë.

“5 milionë euro e paraqiten projektin e parë te “saçit” dhe megjithëse dhe aty kishin llogaritur të vidhnin me shumë se gjysmën e parave, si gjithnjë nuk u ngopen dhe nga 5 e çuan në 25 milionë euro vjedhjen. Pastaj nga paratë e vjedhura, paguajnë për të marre dhe çmime. Siç paguan me paratë e kanabisit ata që deklaronin se nuk ka kanabis në Shqipëri”, deklaroi Paloka. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU