Cinizëm ballkanik

Nga Enver Robelli

Në dhjetor të vitit të kaluar Shqipëria votoi pro Rezolutës së OKB-së përmes së cilës dënohej vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta thoshte se çdo vendim përkatës do të trajtohej si i pavlefshëm. 128 shtete votuan për këtë Rezolutë të OKB-së. Kryeministri shqiptar Edi Rama gati u shpall tradhtar nga «proizraelitët e vetëshpallur» shqiptarë për shkak të një vote konsekuente, të sinqertë dhe të drejtë. Për të kritikuar Ramën e mori të drejtën edhe kryetari i Kosovës, të cilën fuqitë perëndimore e çliruan nga regjimi serb i aparteidit.

Politika e Izraelit kundër palestinezëve është aparteid. As më pak, as më shumë. Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu është një popullist i dyshuar për korrupsion; kundër tij drejtësia izraelite është duke zhvilluar hetime. Izraeli është shtet demokratik (dhe këtu qëndron dallimi me shtetet autokratike arabe), andaj herët apo vonë as Netanjahu nuk do t’i shpëtojë drejtësisë, siç nuk i ka shpëtuar ish-kryeministri Ehud Olmert dhe shumë politikanë të tjerë.

Trump kishte paralajmëruar po ashtu se do të zhvendosë ambasadën e SHBA-së në Jerusalem. Dje këtë e bëri realitet administrata e Trumpit. Dhe çfarë bëri Shqipëria? Dërgoi diplomatë në pritjen festive të organizuar nga Netanjahu. Ndërsa diplomatët shqiptarë pinin shampanjë, në Rripin e Gazës palestinezët bënin gati për varrim dhjetëra të vrarë, mes tyre edhe Laila Al-Gandurin, një foshnjë 8-muajshe të vrarë nga forcat izraelite. Kjo sjellje e Republikës së Shqipërisë është cinike.

Në favor të Rezolutës së OKB-së kundër pranimit të Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit votoi edhe Serbia. Qeveria e Beogradit prej vitesh aktron duke thënë se i mbështet ambiciet e palestinezëve për të pasur shtetin e tyre. Kësaj rrene i beson edhe udhëheqja e paaftë dhe e korruptuar e palestinezëve e prirë nga Mahmud Abazi, i cili së fundi, pa kurrfarë zori, i bëri fajtor hebrenjtë për tragjedinë e Holokaustit. Ky budallallëk i Abazit u dënua nga shumë shtete të civilizuara. Njëjtë si Shqipëria edhe Serbia mbrëmë dërgoi diplomatë në festën e Netanjahut. Lajmin e bëri publik Boshko Jakshiqi, njëri prej gazetarëve më seriozë serbë, i cili është njohës i mirë i problemeve të Lindjes së Afërt. Ministria e Jashtme serbe e përgënjeshtroi lajmin, por sipas Spectator Index diplomatët e Beogradit ishin në pritjen e Netanjahut.

Edhe Maqedonia në dhjetor votoi për Rezolutën e OKB-së, e cila dënonte pranimin e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA. Mbrëmë në banketin e Netanjahut morën pjesë edhe diplomatë të Shkupit. Të tri shtetet, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia u tallën me palestinezët – dhe kjo sjellje tregon për mungesë konsekuence e morali në një çështje të ndjeshme të politikës ndërkombëtare. Nuk mund të pish shampanjë në një pritje ndërsa pak kilometra më tutje numërohen të vrarët. Këtë e bënë Tirana, Beogradi dhe Shkupi.

Moshe Zimmermann, një historian mendjekthjellët izraelit, në një intervistë për televizionin gjerman ARD deklaroi mbrëmë se, për fat të keq, SHBA-të nuk mund të jenë më ndërmjetësuese të sinqerta në konfliktin e përjetshëm në Lindjen e Afërt. Zimmermann edhe në të kaluarën e ka kritikuar «përvetësimin e Holokaustit» nga Netanjahu për qëllime të politikës ditore kundër palestinezëve. Hapja e ambasadës së SHBA-ve në Jerusalem, sipas tij, vetëm do të thellojë hendekun mes izraelitëve dhe palestinezëve. Izraeli, shtoi Zimmermann, është i shurdhër ndaj kritikave, por kjo nuk domethënë se duhet hequr dorë nga kritika kur ajo është e drejtë. Të kritikosh një qeveri që vret civilë nuk është mëkat, është domosdoshmëri. Britania e Madhe tashmë ka kërkuar një hetim ndërkombëtar të masakrës së djeshme mbi popullsinë e Gazës. Raportuesi për të drejtat e njeriut i OKB-së në territoret palestineze Michael Lynk tha se qasja izraelite mund të trajtohet si krim lufte. Në këto rrethana të pish shampanjë në një pritje cinike të Netanjahut është sjellje jocivilizuese.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU