Çfarë do të bëjnë sot këta?

Vendimi i Partisë Demokratike sa i përket votimit të Vetting në seancën maratonë të së martës duket se është marrë. Në vija të përgjithshme, Lulzim Basha ka bërë të ditur në mbledhjen e grupit parlamentar se opozita e kundërshton kontrollin ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi sipas tij ligji është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Po ashtu, Basha ka paralajmëruar se Vetting do të ndiqet në rrugë ligjore si antikushtetues dhe që i shërben veç njerëzve të Edi Ramës.

Mbledhja e sotme e grupit në PD është shoqëruar pa debate. Pesë deputetët e opozitës që më herët e deklaruan hapur votën pro Reformës, duket se nuk e kanë kundërshtuar sot Bashën sa i përket qëndrimit ndaj Vetting. Ose të paktën, raportimi për publikun nga mbledhja me dyer të mbyllura nuk flet për një ‘rezistencë’  brenda partisë.

Ditën e djeshme ambasadori Donald Lu dhe Romana Vlahutin u detyruan të shëtisnin sërish nga zyra në zyrë. Ishte selia blu ajo që u vizitua e para nga ambasadori amerikan dhe pikërisht për qëndrimin e PD ndaj ligjit që do të kontrollojë gjyqtarët dhe prokurorët.

Megjithatë, 5 deputetët ‘rebelë’ që janë takuar më Lu para miratimit të Reformës, nuk dihet nëse do ta votojnë apo jo ligjin për Vetting ditën e sotme në Kuvend. Ligj ky që është jetik për zbatimin e Reformës në Drejtësi.

(Në foto: Eduard Selami, Astrit Veliaj, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Agron Duka)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU