Çfarë skenarësh ka PD për protestën? Deputeti: Nuk ka një tjetër “21 janar”…

Deputeti i PD, Genc Pollo i ftuar në emisionin ’45 Minuta’ në Report Tv deklaroi se populli duhet që të dalë në rrugë për të rrëzuar qeverinë Rama, pasi është e inkriminuar dhe e korruptuar. “Opozita proteston pasi është e domosdoshme që populli në rrugë duhet të dalë për t’i thënë ndal së keqes. Këtu kemi një seri zhvillimesh negative nga zgjedhjet, e cila nuk është zgjidhur.

Kur shtohet e keqja shtohet me shtresa, por edhe mbledhja e vendit me kanabis me urdhër të qeverisë është një problem i pazgjidhur, shto këtu edhe ekonominë në rënie. Pa harruar koncesionet. Situata nuk është normale dhe do të zhvillohet me rrugë të veçanta, përmes popullit në rrugë. Me protestën duhet zgjidhur nyja kryesore. Shullazi dhe Habilaj janë vetëm dy petë të lakrorit të trashë. Problemi do një zgjidhje politike dhe prandaj alternativa e vetme mbetet rruga. Qeveria duhet të bjerë, nëse do ta rrëzojë protesta apo jo do ta shikojmë, por cfarë do të arrijë do të jetë demonstrim i vullnetit popullor’ deklaroi ai.

Opozita kërkon një qeveri teknike, por ndryshe nga ajo e qershorit, këtë herë pa Ramën kryeministër. “Kërkojmë një qeveri të përkohshme. Kryesoja të jetë e mbështetur nga një spektër i gjerë edhe nga PS, por pa Ramën kryeministër. Mos funksionimi i ministrave teknike ishte se ai që ishte mbeti”. Por a mund të rrëzohet qeveria Rama sipas opozitës? “Është një proces i domosdoshëm dhe kompleks. Nëse nuk protestohet e keqja do të trashet dhe do të bëhet më e vështirë dhe do të ketë nevojë për mjete më radikale, por uroj që të mos shkojmë atje, uroj që të ketë zgjidhje politike” tha ai.

Pollo nuk zbulon detaje nga protesta e 27 janarit. “Di që do ta dal më zgjedhësit, për mua ka rëndësi që të jetë masive dhe të ketë sa më shumë socialistë të ndershëm që distancohen nga qeverisja. Do të jetë protestë popullore, periodike apo jo do ta varet nga zhvillimet”. Deputeti demokrat mohon kategorikisht përsëritjen e një 21 janari të dytë. “Shpresoj që jo, ne jemi të përgatitur për një protestë paqësore. Fjalën 21 janar e përhap qeveria për të krijuar konfuzion, protesta jonë është popullore, ajo e 21 janarit ishte e organizuar për të qenë e dhunshme. Do të jetë marshim paqësore. Opozita e bashkuar ka detyrë që me cdo mjet të kundërshtojë të keqen”.

Pollo nuk pranoi që të bënte një koment për fletëthirrjen e prokurorisë për Shkëlzen Berishën, por akuzoi kryeministrin se po kërkon që të largojë vëmendjen nga çështjet aktuale që shqetësojnë qytetarët. “Propaganda e Ramës që ‘fajin e ka Saliu’ nuk pi ujë më. ARMO dështoi se Rama ia dha njeriut të afërt dhe i solli sërish në falimentin dhe i la pa bukë naftëtarët dhe sërish nuk e gjen përgjegjësinë te vetja e vet. Ai jeton me propagandë, kështu që për të shpërqendruar vëmendjen dhe fajin nuk e gjen te vetja, por opozita, media dhe ndërkombëtarët. Z. Berisha ka retorikën e tij, gjuhën e tij. Mendoj që Basha i përket një formimi ku përdorimi i gjuhës është më i ndrysshim, i përzgjedhur, por thelbi mbetet i njëjtë dhe aq më pak për thirrjet për protestë”./a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU