Çfarë krize prodhoi kriza e vogël e teatrit?

Nga Artan Fuga

Kriza e ndërtesës të teatrit nxori në shesh njëmijë probleme dhe një krizë ende më të madhe, atë sesi menaxhohen proceset sociale dhe kulturore e urbane në Shqipëri. Kriza e vërtetë është këtu, nuk është te vrimat në murin e vjetër anësor të ndërtesës aq të çmuar të teatrit.

– Sa vetë në fakt, realisht vendosin për një çështje kaq madhore sikurse është ajo e urbanizimit të asaj pjese qendrore të kryeqytetit? Nuk besoj më shumë se dy ose tre veta. Pra, ne jemi në një pikë çentralizimi vendim-marrjesh që është vertikal, subjektiv, arbitrar.

– Cili është raporti midis pushtetit qendror dhe pushtetit lokal që ka sjellë e ashtuquajtura reformë e territorit, por që ka pas ekzistuar si e tillë edhe para vitit 2013? Në vendimmarrje a ka një lloj autonomie pushteti lokal apo është shtojcë e atij qendror? Këshilltarët e bashkive janë apo jo thjesht militantë partiakë që i heq dhe i ve hierarkia partiake në qendër?

– Përse qytetarëve u mohohet referendumi lokal që mund të ishte një zgjidhje fantastike për situata kur asnjë palë në debat nuk ka legjitimitetin e plotë të vendosi?

– Cila është marrëdhënia midis kreut të partisë në të gjitha krahët dhe deputetëve? Si është e mundur që në çdo rast ne kemi grupe deputetësh që votojnë si kope, në grup, pa asnjë argument të personalizuar dhe pa asnjë fije pavarësie? Unë e kuptoj që 75 deputetë mund të jenë në një mendje, por është krejt e pamundur që ata të mos kenë nuancat e tyre! Regjim kazerme në Kuvend.

– Cila është liria dhe autonomia e artit, krijimtarisë artistike, shkencës dhe politikës? Si është e mundur që drejtuesit e institucioneve publike kulturore dhe artistike kanë të tillë fuqi sa të trembin, ulin kokën, t’i bëjnë të flasin me vete, të shkruajnë lloj -lloj frazash në rrjetet sociale artistët, nga ata që vetëquhen të mirë apo mediokër? Kjo vjen sepse drejtorët janë komisarë politikë dhe se nuk ka status për lirinë e krijimit. A do të ketë një reformë të vërtetë në drejtimin autonom tyë artit dhe kulturës, apo janë Lezet që i përdorin drejtuesit si leckë qëe këta të fundit trajtojnë aktorët dhe regjizorët si marangozë, që këta pastaj i japin publikut gjoja një art, por në fakt një propagandë bajate që të vjen për të vjellë?

– Cfarë humbim ne si shoqëri para kuçedrës që po i jep fund jo Shqqipërisë, por vetë shtetit, dhe dinjitetit të qytetarit, pra para partneritetit publik privat? Si është e mundur që shteti me ligj të bën të pasur ose të heq shanset e barabarta me një vendim arbitrar? Sa shtrenjtë po e paguajnë me hendeqe të thella, humnera, shqiptarët që disa kanë vendosur dorën në pasurit e vendit dhe të tjerët fërkojnë duart me njera tjetrën brenda xhepave bosh? Cfarë demokracie është kjo kur në duart e një grupi shumë të vogël pa asnjë meritë e provë konkurrence të ndershme blihen aq shumë pasuri saqë mund të blejnë gjyqtarë, nëpunësa, politikanë dhe çfarë të duan?

– Cila është transparenca në këtë shoqëri kur qytetari nuk di asgjë me shifra dhe të dhëna zyrtare se cilido të jetë identiteti i Tiranës, plani urbanizues i saj? I teket dikujt dhe në miting thërret se do të vendosur lokomotivën me avull në Rinas, si mjet fluturimi, dhe këtë e bën përpara rrethit të fansave të vet? Kjo është vendim-marrja në demokraci?

– E cfarë se presidenti e kthen njëherë ligjin kur me të pastaj sillet si të dojë një kryetar bashkie ose edhe një grup parlameentar që i thotë: E mo çfarë ishte kjo? Një pickim i vogël? Thjesht na vonove ca ditë! Ka apo nuk ka pushtete të ndara në Shqipëri, apo luhet gjoja sikur jemi në demokraci?

– Cfarë i bën artistët të nënshkruajnë peticione që i shkojnë për shtat pushtetit? Deri ku ka arritur dinjiteti i përkëmbur i shqiptarit që të quajë peticion në fakt një vullnet pushtetar! Cfarë i kërkojmë shqiptarit të mos shesi votën kur shiten në grrup dhjetra, qindra, mijra individë që nënshkruajnë peticione që u serviren të gatshme? Peticion është ky kur një pushtet i bie një tjetri me çomangen e një liste me firma? Qesharake por e trishtët sepse tregon deri ku na ka vajtur dinjiteti.

– Si është e mundur që opozita nuk gjen asnjë zgjidhje veçse propozimit që kur të vijë në pushtet do të përdori tritolin kundër objekteve në vend të çbëjë gjithshka institucionale që i prodhon ato objekte? Pse opozitën e tritolit duam ne? Kompleksi i Rozafës na ka mbërthyer për fyti. Kështu do të vazhdohet?

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU