Çeshtje “zhurme”

Kur Lulzim Basha linte punën si kryetar bashkie i Tiranës, aty nga fundi i mandatit, bashkë me planin e ri rregullues të kryeqytetit, firmoste disa dhjetra leje ndërtimi nëpër cepat e Tiranës, përfshirë edhe në zona shumë delikate e të ngarkuara me beton si rruga e Elbasanit, hapësira poshtë digës së Liqenit dhe Tirana e Re. Asokohe pati një reagim të vogël qytetar, kryesisht nga disa shoqata e ambjentalistë të angazhuar, të cilët dolën disa ditë rresht tek Diga e Liqenit. Fatmirësisht zgjedhjet e përgjithshme sollën ndërrimin e pushtetit qëndror dhe një pjesë (vetëm një pjesë ama) e atyre ndërtimeve, vijuan të pashqetësuara deri në fund. Nëse bën një xhiro në pjesët e sipërcituara të Tiranës, nuk është e vështirë ta konstatosh këtë fenomen.

Sot kemi një betejë të vërtetë mes bashkisë së Tiranës dhe një grupi shoqatash e partish politike, kundër një projekti parku fëmijësh, në mes të pyllit tek i njëjti vend, Liqeni Artificial. Është një reagim shumë i organizuar, më i zhurmshëm dhe insistues, sesa në rastin kur dhjetra leje ndërtimit pallatesh, u lëshuan si pa të keq nga një kryebashkiak në fundin e mandatit të tij “dembel” në krye të pushtetit vendor të Tiranës. Përgjumja e djeshme i ka lënë vendin zhurmës së sotme.

Për ta vijuar paralelizmin me shembuj të tjerë që lidhen me “zhurmën”, mund të shihet ajo që po ndodh me rastin Blushi. Një rast i cili ka brenda vetes një përballje që ngrihet mbi të drejtën e një politikani dhe përfaqësuesi partiak, për të garuar dhe për të përfituar nga hapësirat që krijon statuti i partisë. Megjithatë zhurma mediatike që rrethon këtë rast, është kryekëput e shbalancuar dhe e zhdrejtë me jehonën që ka pasur tradicionalisht mishmashi statutor në Partinë Demokratike. Skena si ajo e Elbasanit, ku Blushi i konstestua dhunshëm, ka qenë fatkëeqësisht ushqimi i përditshëm i PD-së, jo vetëm në vitet e turbullta ’90, por edhe më pas, kur kjo parti qëndroi tetë vjet në pushtet, pa zgjedhur as forumet dhe pa bërë as kongreset e rradhës. Kush sheh sesi u soll Berisha me partinë në tetë vjetët 2005-2013, sesi e shpërfilli ai totalisht selinë dhe rregullat partiake, kupton se shkeljet që po ndodhin sot në PS nuk janë as të reja dhe as të padëgjuara.

Natyrisht dhuna statutore blu, nuk e bën aspak më të mirë dhunën statutore rozë. Porse është e habitshme dhe paradoksale sesi zhurma, jehona, kritikat dhe surpriza e përgjithshme që po shoqëron sot aferën staturore të PS, është kryekëput më e madhe dhe e zhurmshme sesa qetësia dhe pasiviteti me të cilën është pritur rregullisht banalizimi i rregullave në PD.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU