Çdo fëmijë i lindur do të marrë 5 mijë lek. Veliaj i dorëzon çekun, bebes së parë

Nga 1 janari 2016, çdo fëmijë që do të lindë në kryeqytet do t’i hapet një llogari bankare nga Bashkia e Tiranës me 5 mijë lekë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte sot i pranishëm në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Gerdalinë”, ku dorëzoi çekun e parë për vajzën e lindur pak minuta pas mesnate. Veliaj tha se kjo është një mënyrë për t’i uruar mirëseardhjen qytetarëve më të rinj.

“Kjo nuk është një mënyrë që të zgjidhi të gjithë nevojat ekonomike, por që të hapim një llogari bankare, ku prindërit dhe të afërmit mund të investojnë përgjatë gjithë jetës së fëmijës, për t’u siguruar që nesër përdoren për një bursë apo për çdo nevojë tjetër që mund të ketë fëmija”, tha kryebashkiaku.

Pas miratimit të buxhetit për vitin 2016 në Këshillin Bashkiak, do të mundësohet që 6 mijë fëmijë që lindin në maternitetin e Tiranës të marrin bonusin prej 5 mijë lekësh.

Krahas urimit për Amblën, fëmijën e parë që lindi në Tiranë për vitin 2016, kryebashkiaku shprehu falënderimet për të gjithë ata që punuan në institucionet për të mos ndërprerë shërbimet ndaj qytetarëve. “Dua të falënderoj shumë të gjithë ata që e gdhinë mbrëmë, që nuk ishin pranë familjes, por u kujdesën për nevojat për nevojat e qytetit. Së pari, të gjithë mjekët, infermierët, sanitarët, të gjithë ata që ndihmuan në lindjet e para, apo ata që kanë qenë në shërbimin e urgjencës dhe atë zjarrfikës”, tha Veliaj. Më tej, kryebashkiaku falënderoi të gjithë punonjësit e shërbimeve të pastrimit që ishin gjatë natës në punë që qyteti të jetë i pastër si dhe punonjësit e qendrave sociale

“Qyteti sot ka dalë në dritë dhe asnjë shenjë mbeturinash nuk ekziston në qytet. Dua gjithashtu të jem mirënjohës për të gjithë stafet tona që kanë punuar në institucionet tona sociale, në qendrat e përkujdesit për të moshuarit, për fëmijët jetim. Ata gjithashtu i kanë kaluar në këto qendra Vitin e Ri”, deklaroi ai.

Në përfundim të vizitës së tij spitalin “Mbretëresha Gerdalinë”, kryebashkiaku uroi të gjithë qytetarët dhe apeloi për më shumë punë dhe solidaritet.

“Viti që na pret do të jetë një vit me shumë punë në Tiranë dhe shpresoj që të gjithë ta kemi fokusin tek puna, jo tek fjala, tek zgjidhjet dhe jo te sherret, te mënyra se si ne mund të bëhemi bashkë me dashuri dhe jo me mllef dhe përçarje. Kjo frymë solidariteti që pamë këto ditë dhe këto muaj të na udhëheqë gjatë gjithë vitit që vjen”, përfundoi Veliaj.

Nisma e bashksië së Tiranës për hapjen e një llogarie bankare me 5 mijë lekë për çdo fëmijë që lind në qytet u vlerësua  nga Drejtori i Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Gerdalinë”, Blenard Nonaj.

1 koment

PËRGJIGJU