“Çamët bashkëpunëtorë të nazistëve”, PDIU: Qeveria të mbajë qëndrim të prerë për këtë rast!

PDIU i është kundërpërgjigjur deklaratave të Ministrit Grek të Mbrojtjes i cili ka thënë këtë të premte në mesditë se çamët ishin bashkëpunëtorë të nazistëve, duke kërkuar nga qeveria shqiptare që të marrë masa imediate për këtë rast.

 “Shqipëria duhet të mbajë qëndrime të prera ndaj këtij ministri që nuk kupton se ne sot jemi anëtarë të NATO-s, njëlloj si Greqia, ndaj gjuha e kërcënimit nuk ka vend.  Dje ministri i mbrojtjes i Greqisë Panos Kamenos, nga një zonë e kufirit shqiptaro grek pas organizimit të manovrave ushtarake provokative kundrejt një vendi fqinjë, anëtar i NATO-s, vendosi të provokojë edhe me fjalë Shqipërinë dhe vende të tjera anëtare të Aleancës”, thuhet në reagim.

“Ne duam t’i themi këtij ministri antisemit, antieuropian: Komuniteti çam nuk mund të vizatohet sot në kohë lirie, si komunitet bashkëpunëtor i nazizmit. Lexoni historianët realistë grekë, lexoni burimet amerikane që konfirmojnë se pikërisht mosbashkëpunimi i shqiptarëve çamë me pushtuesit italianë solli dështimin e tyre në Greqi. Por Kamenos, i ngrehur me rroba ushtarake, do të lexojë vetëm historinë që shkruajti Zervas me gjakun e mijëra grave, pleqve dhe fëmijëve çamë”, thuhet më tej.

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos, në një deklaratë të bërë nga posta kufitare greke në Molivdhoskepasti, në kufi me Shqipërinë, tha për çamët:

“Deklaratat e fundit të zotit Rama, deklarata që nuk kanë bazë historike, duhet të na sjellin ndërmend se ata për të cilët ai flet ishin bashkëpunëtorë të nazistëve, ishin ata që qëndruan në anën e të humburve në luftë. Ne nuk do pranojmë këto sfida, këto deklarata që fyejnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU