Buxheti 2019, Manastirliu: 30 mijë familje mbështeten direkt nga politika e re sociale e çekut të bebes 

Buxheti i vitit 2019 mundëson mbështetjen direkte për rreth 30 mijë familje që do të përfitojnë çekun e bebes për çdo të porsalindur”. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në komisionin e Shëndetësisë në Kuvend, Ministrja Manastirliu theksoi se për këtë politikë të re sociale, janë parashikuar 2 miliardë lek (20 milion dollarë) në buxhetin e vitit të ardhshëm.
“Duke filluar nga Janari 2019, garantojmë shpërblimin për çdo të porsalindur, 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Kjo politikë e re sociale mbështet drejtpërdrejt fëmijët, familjen dhe zhvillimin e shoqërisë”, tha Manastirliu.
Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2019 është 74 miliard e 594 milion e 377 mijë lekë ose sa 4.26% i PPB, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin 2018. Investimet në shëndetësi kanë rritjen më të madhe me mbi 20%, parashikuar në këtë projekt-buxhet.
“Rehabilitojmë 100 qendra shëndetësore dhe ambulanca në vitin 2019 me vlerë investimi rreth 300 milion lekë, në kuadër të programit tonë për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore brenda këtij mandati, 80 prej të cilave po përfundojnë këtë vit”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se me këtë buxhet financohen projektet madhore në QSUT, disa maternitete dhe spitale rajonale.
“Përfundon spitali i ri i kirurgjisë në QSUT me vlerë investimi 8 milion euro, ndërsa vijojnë investimet në spitalin e sëmundje të brendshme dhe pediatrine moderne”, u shpreh Manastirliu.
Duke u ndalur te kujdesi për nënën dhe fëmijën, Manastirliu tha se këtë vit do të investohet në maternitetet e Lezhës, Beratit, Kukësit, etj me vlerë 500 milion lekë.
Me buxhetin e vitit 2019, sigurohet vijimi i investimeve në  spitalet rajonale. Më konkretisht: Rindërtimi i Pediatrisë më spitalin rajonal Durrës; Rikonstruksioni dhe dhe zgjerimi i spitalit rajonal të Kukësit; ndërtimi i spitalit të urgjencës polivalente në spitalin rajonal të Elbasanit, etj.
Ministrja Manastirliu deklaroi para deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë se buxheti 2019 zgjeron gjithashtu programet e mbrojtjes sociale, duke filluar me konsolidimin e programit të ndihmës ekonomike, mbështetjen për personat me afësi të kufizuar si dhe financimin për herë të parë të ndërmarrjeve sociale dhe krijimit të fondit social.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale deklaroi se viti 2019 do të ketë sërish rritje page për stafin mjekësor. “Me një buxhet prej 1 miliardë lek, buxheti 2019 parashikon rritje page prej 7% për 18,416 mjekë dhe infermierë të shërbimit publik”, tha Manastirliu.​
ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU