Buxheti 2017, përplas Ministren e Arsimit me deputetët e PD për çmimet e librave

Buxheti i vitit 2017 ka përplasur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë Ministren e Arsimit Lindita Nikolla me deputetët e Partisë Demokratike. Deputeti Ridvan Bode akuzoi se janë rritur ndjeshëm çmimet e librave dhe shërbimeve arsimore, ndërkohë që kanë ardhur në ulje shpenzimet buxhetore në këtë sektor.

Ndërsa deputetja Jorida Tabaku tha se për herë të parë në 25 vite buxheti mbulon vetëm për 9 muaj pagat e pedagogëve, duke ua lënë vetë universiteteve sigurimin e 3 muajve të tjerë.
Ministrja hodhi poshtë akuzat për rritjen çmimesh dhe tha se kishin qenë vetë mësuesit ata që me votim të fshehtë nxorën nga qarkullimi 600 libra jashtë standardeve. Sipas saj, standardet aktuale të arsimit janë certifikuar nga institucione ndërkombëtare, të cilat kanë konstatuar përmirësim të këtij sektori në çdo drejtim.

Nikolla raportoi në Komision se Buxheti i Ministrisë për vitin 2017 është 52 milionë dollarë, dhe në të është parashikuar rritja e pagave për mësuesit, si dhe reformat në arsimin e mesëm e universitar.

ma.me

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU