Bushati, takim kokë më kokë me homologun çek

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka zhvilluar këtë të enjte një takim kokë më kokë me homologun çek Lubomir Zaoralek, i cili ndodhet në Tiranë në kuadër të Ministerialit të Vishegradit.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp, Bushati ka deklaruar se dy vendet kanë hyrë në një fazë të re e më të avancuar marrëdhëniesh.

“Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të marrë në shqyrtim marrëdhëniet dypalëshe, të cilat kanë hyrë në proces konsolidimi”, ka deklaruar Bushati.

Shefi i diplomacisë shqiptare ka bërë me dije se, me Zaoralek ka diskutuar për hapat për ngritjen e fondit të Vishegradit dhe për ta bërë atë operacional.

Në të njëjtat linja, ministri çek ka vlerësuar se ka një lloj dinamizmi të ri në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat datojnë që në kohën e Çeko-Sllovakisë.

“Kemi pasur rritje me 17 për qind të shkëmbimit tregtar”, ka thënë Zaoralek, i cili ka shtuar se, “Çekia synojn të intensifikojë bashkëpunimin me vendet e Ballkanit në fusha të ndryshme”.

Gjithashtu, “ne jemi të gatshëm t’ju japim eksperiencën tonë për anëtarësimin në BE”, ka thënë më tej Zaoralek, i cili mes të tjerash ka vlerësuar rolin e Shqipërisë për stabilitetin në Ballkan.

Ndërsa për krizën e emigrantëve, ai ka theksuar se, “ne duhet të koordinojmë përpjekjet”. “Jam i sigurt që mund ta menaxhojmë mirë këtë situatë nëse punojmë së bashku”, ka shtuar Zaoralek.

Lidhur me këtë çështje, ministri Bushati ka nënvizuar se, që në fillim të vitit qeveria shqiptare ka marrë masa paraprake me autoritetet italiane për të bashkërenduar përpjekjet.

“Me qëllim për të parandaluar, aq sa është e mundshme, efektet anësore që burojnë nga kriza migratore. Gjithashtu kemi një kanal të hapur komunikimi me Maqedoninë dhe Greqinë”, ka thënë Bushati.

TCH

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU