“Burri me brekë në dollapin e Xhesikës”, telenovela vazhdon me policinë

Një deklaratë e policisë shënon episodin e radhës në telenovelën “Burri me mbathje në dollapin e Xhesikës”. Fillimisht doli lajmi i dhënë jozyrtarisht nga burime policore se në shtëpinë e këngëtares Xhesika Ndoji ishte kapur një burrë i veshur vetëm me mbathje, i fshehur në dollap. Policia shkoi atje pas një telefonate anonime që denonconte një grabitje, por gjeti vetëm personin që më vonë u identifikua si biznesmen nga veriu.

Më pas, doli varianti se ishte burri i motrës së këngëtares që u kthye në shtëpi dhe gjeti gruan me një burrë lakuriq në dollap. Bashkëshorti mori në telefon policinë, duke denoncuar për grabitje, akt pa kuptim nga ana e një burri që do të gjente gruan me një mashkull tjetër në shtëpi.

Pastaj ishte radha e Xhesikës të sqaronte në një intervistë me Panoramën se policia nuk kishte qenë fare në shtëpinë e saj dhe se telefonata duhej të ishte bërë nga ndonjë skizofren.

Tani është policia që ka bërë deklaratë, duke dhënë edhe inicialet e burrit me brekë në dollap, i cili akuzohet për hyrje me forcë.

Policia thotë se 38-vjeçari, banues në Yzberish, ka hyrë me zor në shtëpinë e motrës së Xhesika Ndojit, në kohën që në shtëpi ka qenë edhe kjo e fundit, ndërsa Xhesika deklaroi se e motra ishte në Greqi.

“Më datë 17.02.2016, u referuan materialet në Prokurorinë e

Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin B.P., vjeç 38, banues në Yzberisht, pasi dyshohet se rreth orës 15.00, ka hyrë pa pëlqimin e saj, në banesën e një 29 vjeçareje. Neni 112 i Kodit Penal”, thuhet në deklaratën e policisë.

Hyrja me forcë nuk është ndonjë krim i paparë, por duket e çuditshme që pas hyrjes me forcë ai kapet thuajse lakuriq e i fshehur në dollap.

As Xhesika dhe as motra nuk kanë bërë denoncim në polici, çka e bën të çuditshëm zellin e policisë për të marrë një person në komisariat e t’i ngrejë edhe akuzë bazuar në Kodin Penal.

Kaq deri në episodin e radhës…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU