Polici kosovar zbulon planet terroriste të arratisjes së imamit Aliu

Në gjykimin e të akuzuarve për vepra që lidhen me terrorizëm Ardian Mehmeti, Valon Shala, Genc Selimi, Musli Hyseni dhe Nuredin Sylejmani, në cilësi të dëshmitarit ka dhënë dëshminë e tij hetuesi policor Adnan Omeri i cili ishte propozuar që të ftohej si dëshmitar nga i akuzuari Ardian Mehmeti.

Dëshmitari gjatë marrjes në pyetje nga i akuzuari Ardian Mehmeti tregoi se me rastin e bastisjes së shtëpisë së këtij të akuzuari përpos tjerash aty kishin gjetur armë, kanaçe të hapura të deodoranteve dhe qese me pleh artificial.

“Kanë qenë dy armë të gjata të gjetura prapa krevatit në dhomën e gjumit të të akuzuarit, ka pasur pajisje elektronike, tela, kabllo dhe kanaçe të hapura të deodoranteve dhe një qese nën krevat me pluhur të bardh të dyshuar e që më vonë është vërtetuar se është pleh artificial substancë që përdoret për prodhimin e eksplozivit”, tha dëshmitari. Në lidhje me kanaçet e hapura të deodoranteve ai tha se dyshimet kanë qenë se deodorantet mund të përdoreshin për mbushjen me pluhur të kanaçeve.

Ndër të tjera dëshmitari deklaroi se në shtëpinë e të akuzuarit është gjetur edhe një ditar me shënime personale të të akuzuarit Ardian Mehmeti në të cilin është folur për përvojën e tij në luftën në Siri. “Aty kemi gjetur edhe fletoren e shënimeve të tij personale, në të cilën ka pasur shënime për përvojën në luftën në Siri”, tha hetuesi policor i cili në këtë proces gjyqësor dëshmoi në cilësi të dëshmitarit.

Pas bastisjes së shtëpisë dhe pas gjetjes së këtyre pajisjeve dëshmitari tha se menjëherë ishte ftuar njësia e deminimit e cila të gjitha këto pajisje të dyshimta i ka marrë dhe ka bërë raport në lidhje me to.

Por, përveç këtyre sendeve të gjetura me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Ardian Mehmeti, dëshmitari tha se në shtëpinë e tij janë gjetur edhe disa skica në përmbajtjen e të cilave kishin qenë ndërtesa, objekte dhe pozicione se ku duhet të qëndrojnë persona të caktuar.

Në këto skica të gjetura ai tha se është dyshuar se i vizatuar ka qenë burgu i Idrizovës në Maqedoni, të cilin informacion tha se e kanë marrë nga Drejtoria Kundër Terrorizmit.

“Në këto skica shihet i vizatuar një objekt, që mund të jetë burgu i Idrizovës, mendojmë se qëllimi i tyre ishte lirimi nga burgu i Shukri Aliut dhe nëse e marrim për bazë që skica është gjetur në pajisjen elektronike të Ardian Mehmetit është e arsyeshme se ai ka pasur dijeni”, thuhej në një nga raportet e përpiluara nga hetuesit policor me rastin e bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit Ardian Mehmeti.

Me datën 5 nëntor të vitit 2013 hetuesi policor tha se të akuzuarit janë arrestuar për shkak se ata kishin blerë armë AK-47 dhe dy snajperë dhe se ishte dyshuar se qëllimi i blerjes së armëve nga tani të akuzuarit ka qenë sulmi ndaj institucioneve apo edhe lirimi i imamit Shukri Aliu nga burgu dhe për shkak të dyshimit se të dyshuarit mund të kryenin ndonjë veprim me anë të të cilit do të cenohej siguria e vendit.

“Po ashtu gjatë trajtimit të të gjitha provave të grumbulluara gjatë implementimit të masave të fshehta të dyshuarit në fjalë kanë qenë konsistent në kërkimin e armëve, eksplozivit të llojit C4 dhe detonatorëve dhe nëse përmblidhen të gjitha këto është një dyshim i bazuar se arsyeja se pse janë arrestuar atë ditë ka qenë për të parandaluar ndonjë akt të mundshëm në të ardhmen i cili do të mund ta cenonte sigurinë e vendit”, deklaroi dëshmitari.

Sipas informacioneve inteligjente, dëshmitari tha se më pas policia dy herë radhazi kishte pranuar email me përmbajtje kërcënuese se nëse nuk lirohen të arrestuarit, policia do të sulmohet.

“Kjo është tregues se këta kanë pasur edhe përkrahës të tjerë në prapaskenë. Policia ka marrë veprime për identifikimin e hetuesve por për shkaqe teknike nuk janë gjetur kërcënuesit”, tha ai.

“A mund të më tregosh provat materialet që dëshmojnë se unë kam qenë udhëheqës i grupit”, e pyeti dëshmitarin i akuzuari Ardian Mehmeti.

“Kjo është vlerësuar pas një analize të tërësishme të rastit duke filluar nga implementimi i përgjimeve të telekomunikimeve, dy takimeve të mbajtura dhe takimit final mbi të gjitha këtu është ardhur në përfundim se ju jeni udhëheqës i grupit”, u përgjigj dëshmitari.

E për të akuzuarin tjetër Valon Shala, dëshmitari tha se sipas informacioneve ai ka pasur rol për përkrahjen logjistike të grupit dhe se ai ka marrë pjesë edhe në takime përfshirë edhe takimin final kur është përdorur vetura e tij.

Kurse në pyetjen e avokatit Bekim Kafexholli në lidhje me informacionet për jetën e të mbrojturit të tij Genc Selimit para arrestimit të tij, dëshmitari tha se për Genc Selimin kanë pasur informata nga rrjetet sociale pasi që ai ka qenë shumë aktiv, ku ndër të tjera përmendi një postim të një fotografie nga i njëjti në të cilin tha se ka qenë një përshkrim “Al-Qaeda soon in Kosovo”, që në gjuhën shqipe do të thotë, Al-Kaida së shpejti në Kosovë.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 14 shtator.

Valon Shala, Ardian Mehmeti, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni akuzohen për organizimin dhe drejtimin e një grupi terrorist, pjesëmarrjen në grup terrorist, përgatitjen e veprave penale terroriste, prodhimin e paligjshëm të materialeve shpërthyese, posedimin e paligjshëm të armëve dhe të eksplozivëve, nxitjen e urrejtjes fetare, sulmin e rëndë në territorin e Kosovës, si dhe kryerjen e terrorizmit brenda territorit të Sirisë, përgatiti ”KALLXO.COM”. (b.an)

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU