Burgjet, tender 2.2 milionë euro për furnizimin me ushqime

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur garën për furnizimin me ushqime për vitin 2016 me qëllim plotësimin e nevojave ushqimore të të dënuarve dhe të paraburgosurve të cilët ndodhen në 22 institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në varësi të Drejtorisë.

Në total do të tenderohen 306 milionë lekë (2.2 milionë euro). Ndërsa sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve në fund të dhjetorit numri i personave në ambientet e burgjeve dhe paraburgimit arrin në 5934 persona. Duke marrë në konsideratë fondin vjetor për ushqimet me numrin të burgosurve i bie që kuota vjetore për një të burgosur është 51 648 lekë, ndërsa kuota e ditore vetëm 141.5 lekë. Hapja e ofertave do të bëhet në datën 12 shkurt 2016.

Për blerjen e artikujve bazë sic janë oriz, fasule, vaj, sheqer dhe makarona do të shpenzohen 52,839,222 lekë pa TVSH.

Për blerjen e mish, bulmet dhe vezë fondi limit në total është 145.112.049 lekë. Ndërsa për blerjen e bukës, frutave dhe perime fondi limit në total është 108.530.291 lekë pa TVSH dhe vihen në dispozicion nga buxheti i shtetit.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka në plan zhvillimin e një strategjie të përshtatshme për sistemin e burgjeve dhe kushtet sociale në Shqipëri. Mbi këtë strategji do të hartohen programe të specializuara për të rritur punësimin e të burgosurve për çdo burg duke pasur parasysh kushtet e çdo institucioni.

MONITOR

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU