Belshi një pikë turistike pranë qytetit të Elbasanit, mund të vizitohet në verë, në vjeshtë dhe pa asnjë dyshim edhe në dimër, duke u bërë kështu një nga dëshmitë e gjalla që tregon se në Shqipëri nuk bëhet vetëm plazh, por ka turizëm malor, turizëm të aventurës që mund të shfrytëzohet në 12 muajt e vitit, jo vetëm në sezonin e verës.
“Jemi në Belsh, në Seferan për të disatën herë por sot me një qëllim krejt të veçantë pasi kompania e cila menaxhon këtë perlë të natyrës ka hapur një pikë informacioni, dy bujtina të reja që tërheqin fluksin e vizitorëve duke vazhduar në mënyrë intensive turizmi nga e gjithë Shqipëria”, tha ministri i Turizmi dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndërsa shprehu vullnetin për përpjekje të reja, që i shndërrojnë potencialet dhe resurset e vendit në oaze të turizmit, ofertës turistike nga ai i detit dhe i rërës për të dalë në zonën e tokës në zonën e atdheut të mesëm duke parë bukuri natyrore.
“Në bashkëpunim me pushtetin vendor kemi arritur të gjejnë një sinergji të përbashkët e cila i sjell këtij komuniteti shumë më tepër biznes, shumë më tepër mirëqënie dhe padyshim shumë më tepër punësim”, theksoi Klosi.
E veçanta, u shpreh ai, është se në këtë zonë mund të zhvillohet agroturizmi, një nga prioritetet e qeverisë, me qëllim promovimin e produkteve bio, gatimeve tradicionale, por edhe për ta kthyer njeriun tek natyra, kodrat, malet, liqenet për të pasur ofertën e re turistike gjithëvjetore.
Në Seferan mund të shijosh bukuritë e jashtëzakonshme të natyrës, të shijosh ushqimin tipik të zonës, të shërbyer në mënyrë tradicionale. Mund të flesh në bujtina, të organizosh një ditë të bukur përmes guidës, që ofron sporte në ujë, kajak, kanoe, peshkim, por edhe shëtitje me biçikleta, hapësirë për barbekju dhe piknik.
85 liqenet karstike të Belshit i vizitojnë veçanërisht turistët e huaj, por vitet e fundit me transformimin që i është bërë kësaj zone me bukuri të jashtëzakonshme natyrore, fluksi i vizitorëve po shtohet edhe me qytetarë shqiptarë, sidomos nga Tirana dhe Durrësi.
/b.d