Bujqësia, 4 herë më pak fonde se në 2018

Fermerët që presin mbështetje financiare nga shteti, këtë vit do të mbeten duarbosh. Qeveria ka ulur në mënyrë drastike fondin e subvencioneve në bujqësi për këtë vit, duke e rrudhur në vetëm 4.5 milionë dollarë, nga 20 milionë dollarë që ka qenë mesatarisht gjatë viteve të fundit.

“Nga shuma prej 4.5 milionë dollarësh, gati një milion do të shkojnë për të shlyer detyrimet e vitit të kaluar. Që do të thotë se mbështetja për këtë vit do të jetë edhe më e vogël”, tha Ndoc Fazllia, ekspert i bujqësisë.

Të mërkurën, qeveria nxori edhe vendimin sesi do të shpërndahen paratë për subvencionin e fermerëve. Por, për shkak të fondit minimal, shumica e aktiviteteve më të rëndësishme bujqësore janë përjashtuar nga mbështetja financiare.

“Këtu kam parasysh përjashtimin nga mbështetja të mbjelljeve për kulturat drufrutore, të mbjelljeve për vreshtarinë, të mbështetjes për perimet, në mënyrë të veçantë ato që rriten në serra, nga ku prodhohet edhe 90 për qind e eksporteve që realizohen mes prodhimeve bujqësore”, tha më tej eksperti Fazllia.

Paratë e subvencioneve janë transferuar në fondin e “100 fshatrave”, një program që synon të gjallërojë ekonominë e 100 fshatrave nëpër Shqipëri, përmes investimeve në infrastrukturë dhe turizëm.

Por, Ndoc Fazllia thotë se shkurtimi i mbështetjes së drejtpërdrejtë për femerët do të ketë pasoja të rënda negative për prodhimin vendas dhe eksportin.

“Mbështetja nëpërmjet subvencioneve ka qenë nxitës për prodhimin vendas, të paktën në këto vitet e fundit. Po kështu edhe përpunimin e produkteve bujqësore dhe mbi të gjitha ka nxitur edhe eksportet. Të gjithë këto më sipër do të ndikojnë ndjeshëm në prodhimin vendas”, tha Fazllia.

Qeveria thotë se fermerët kanë një tjetër paketë, nga e cila mund të përfitojnë mbështetje, që është ajo e granteve të Bashkimit Europian. Por, për shkak të kritereve të rrepta dhe procedurave burokratike, numri i fermerëve që përfitojnë parà nga “Ipardi” është minimal, gati i papërfillshëm./tch

/a.meta

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU