Brian J. Williams: OKB-Shqipëri, më shumë se 25 vjet histori

Nga Brian J. Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB-së në Shqipëri

dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së

Kombet e Bashkuara krenohen me historikun e tyre. Janë më shumë se 25 vjet bashkëpunim me Shqipërinë, në mbështetje të aspiratave të Shqipërisë për demokraci dhe integrim në BE.

Ky është një partneritet konkret dypalësh. Kombet e Bashkuara punojnë edhe për të sjellë në Shqipëri norma të bazuara tek të drejtat dhe ekspertizë, edhe për të vlerësuar progresin e Shqipërisë e për të ndarë mësime me komunitetin rajonal dhe atë global.

Në vitin 2007, për shembull, Shqipëria, si vend anëtar i OKB-së, ndërmori një hap pararojë në mbështetje të reformës së Kombeve të Bashkuara duke u ofruar si vend pilot për zbatimin e iniciativës “Një OKB”. Sot, ato parime janë standardizuar përmes Procedurave Standarde të Veprimit për të gjitha ekipet e OKB-së në botë.

Tashmë jemi në muajt e fundit të Programit tonë aktual pesë vjeçar, i cili në total ka alokuar 90 milionë USD asistencë për zhvillim nga viti 2012 deri në vitin 2016.

Tetë agjenci të përhershme dhe nëntë të tjera të cilat ofrojnë asistencë aktive përmes zyrave rajonale, formojnë familjen e OKB-së e cila kontribuon për këtë program dhe mbulon një gamë të gjerë aktivitetesh.

Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave ka qenë një temë ndërsektoriale. Iniciativa e përbashkët, e cila përfshin UN Women, PNUD-in dhe UNFPA-në, përqendrohet tek sigurimi i rrjeteve mbështetëse për gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe abuzimit seksual.

Sot, në 29 bashki, gratë e dhunuara të cilat kanë guximin të kërkojnë ndihmë, mund ta bëjnë këtë gjë përmes një rrjeti të gjerë mbështetës, qoftë përmes policisë, spitaleve ose qendrave sociale, duke përfituar kujdes profesional dhe cilësor.

Përpjekje të mëdha janë bërë për të mbështetur qeverisjen, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut. Shumë prej jush janë në dijeni të mbështetjes sonë për reformën historike administrative dhe territoriale.

Por janë bërë edhe shumë përpjekje të tjera: UNFPA-ja, PNUD-i dhe UN Women kanë punuar së bashku për të mbështetur qeverinë në ndjekjen e rekomandimeve për të drejtat e njeriut, të dhëna nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë dhe në përgatitjen e një delegacioni profesionistësh për të përfaqësuar Shqipërinë në Komitetin për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave.

UNICEF-i ka punuar për çështje që kanë të bëjnë me drejtësinë për të miturit dhe shumë organizata kanë punuar ngushtësisht me Avokatin e Popullit dhe me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Punësimi dhe angazhimi i të rinjve është një tjetër çështje thelbësore për të cilën është ofruar mbështetje e koordinuar nga agjenci të shumta përfshirë PNUD-in, ILO-n, FAO-n, UNIDO-n dhe UN Women.

Më lejoni të përmend vetëm dy aktivitete lidhur me punësimin. Ne po punojmë për të mbështetur shkollat e AFP-së të rrisin numrin e regjistrimeve dhe po shqyrtojmë zinxhirë të mundshëm vlerash për të rritur pjesëmarrjen formale të grave në forcën punëtore.

Emigracioni, siç e dimë mirë të gjithë, është një çështje globale. IOM, të cilit dëshiroj t’i uroj mirëseardhjen në familjen e OKB-së tashmë që prej muajit shtator, ka programe të cilat ndihmojnë në integrimin në komunitet të emigrantëve shqiptarë të kthyer. UNHCR, IOM, UNICEF dhe OBSH, mes të tjerash, kanë ndihmuar në forcimin e institucioneve kombëtare për të garantuar zbatimin e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht për emigrantët e cenueshëm.

Korrupsioni është një tjetër çështje ndërsektoriale. Disa programe specifike e kanë trajtuar këtë çështje, duke përfshirë këtu mbështetjen e PNUD-it për një portal antikorrupsion ose punën e UNODC-së kundër tregtisë së jashtëligjshme.

Në përgjithësi, të gjitha programet e OKB-së po punojnë për këtë çështje duke punuar me partnerët dhe duke modeluar procese transparente dhe gjithëpërfshirëse të cilat e vendosin qytetarin shqiptar në qendër të vëmendjes.

Mënyra se si shoqëria i trajton individët e saj më të cenueshëm është parë shpesh si shenjë civilizimi dhe ky parim tashmë reflektohet në moton e OZHQ-ve, “të mos lëmë askënd pas”.Çdo agjenci e OKB-së punon për identifikimin dhe mbështetjen e atyre komuniteteve të cilat kanë më tepër nevojë për nxitje në arritjen e objektivave të tyre të zhvillimit.

Për shembull, shumë organizata po punojnë me komunitetet rome dhe egjiptiane dhe gjatë viteve të fundit kjo ka ndikuar në rritjen me 29% të pjesëmarrjes së nxënësve romë në sistemin parashkollor.

Patjetër që punojmë edhe me fëmijët, për të sotmen dhe të ardhmen. Vitin e fundit UNICEF-i ndihmoi në garantimin e procesit të zhvillimit profesional për çdo mësues të klasave të 1-ra dhe të 6-ta.

Këto janë vetëm disa prej fushave të punës dhe prej sukseseve, por OKB bën shumë më tepër, duke përfshirë agjencitë jo të përhershme. Për sa i përket mjedisit, për shembull, UNESCO dhe UNEP po bashkëpunojnë me UNDP-në për të mbrojtur natyrën e Shqipërisë dhe për të përmirësuar efiçencën e energjisë.

Për ta përmbledhur, modaliteti i “Një OKB”, bazohet te koordinimi dhe sinergjia. Ajo është si një ekip futbolli, lehtëson bashkëpunimin e talenteve individuale të gjithsecilit për të shënuar rezultate kolektive e strategjike.

OKB-ja është krenare për punën e kryer në Shqipëri ndërkohë që kjo e fundit përshpejton kalimin drejt Bashkimit Evropian dhe besojmë se kemi ende shumë për të ofruar. Në fakt, ekipi i OKB-së në Shqipëri, po zgjerohet. FAO hapi një zyrë të përhershme vitin që sapo kaloi dhe OBSH-ja ka emëruar një përfaqësues të përhershëm këtë vit.

 

Të nderuar miq dhe kolegë,

Më tej, OKB-ja ka planifikuar një Program të ri Bashkëpunimi për periudhën 2017-2021, së bashku me qeverinë, shoqërinë civile dhe partnerët për zhvillim.

Pesë vitet e ardhshme do të ofrojnë shumë mundësi. Rritja e nën-rajoneve është në nivele të lakmueshme; potenciali për progres për reduktimin e mëtejshëm të varfërisë, është real.

Integrimi evropian është më afër falë reformave thelbësore, jo vetëm në sistemin e drejtësisë më herët gjatë këtij viti, por edhe në reformimin territorial, në administratën publike, në mbrojtjen sociale, në menaxhimin e energjisë dhe në shumë fusha të tjera.

Por, çdo reformë paraqet sfidat e veta të zbatimit dhe ndoshta tema e përbashkët dhe më e rëndësishme e programit tonë të ri është fokusi te rezultatet e 61 bashkive të reja, që do të thotë shërbime me në qendër qytetarin, të lëvruara nga njësi të përgjegjshme të qeverisjes vendore, e cila sjell përjetësim të reformave.

Sigurisht që kemi edhe “Axhendën 2030”. Pesë vitet e ardhshme do të shënojnë periudhën e parë, një të tretën e veprimit drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Për sa i përket OZHQ-ve, Shqipëria ka bërë shumë. Ajo ka pilotuar treguesit për OZHQ 16 – Institucione gjithëpërfshirëse e të përgjegjshme dhe shteti i së drejtës. Ajo i ka integruar treguesit e OZHQ-ve në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.

Në bashkëpunim me INSTAT-in, mbi 50 strategji kombëtare janë rishikuar dhe janë identifikuar burime të dhënash për të monitoruar ecurinë e OZHQ-ve. Ecuria e OZHQ-ve do të integrohet në strukturën GPMI-ve, në mënyrë që procesi i OZHQ-ve të mund të prodhojë fakte që nxisin debatin për politikat. Më vonë gjatë këtij viti, ne shpresojmë të mbështesim prodhimin e një raporti fillestar bazë.

Programi ynë i ri, në cilësinë e OKB-së, është hartuar rreth katër shtyllave ose “fushave të rezultateve”.

Mbështetja e këtyre katër shtyllave përbën angazhim për barazinë gjinore. Të gjitha aktivitetet do të vlerësojnë ndikimet gjinore dhe do ndjekin një planifikim agresiv me qëllim që të garantohet dedikimi i burimeve për fuqizimin e grave.

– Fusha e parë e rezultateve është mirëqeverisja dhe shteti i së drejtës. Ne shpresojmë që, në përfundim të këtyre 5 viteve, të kemi kontribuar në rritjen e besimit të qytetarëve te qeverisja vendore dhe ajo qendrore, te gjyqësori, te partitë politike dhe te parlamenti.

Kjo do të kërkojë më tepër transparencë dhe aksesueshmëri – veçanërisht për romët dhe egjiptianët, gratë, fëmijët dhe familjet e varfra –, si dhe qeverisje më të përqendruar tek qytetari. Korrupsioni në të gjithë sektorët – sjellja e qytetarëve dhe shoqërive në ndërveprim me shtetin, sikurse edhe vetë shteti – duhet të ndryshojnë.

Fusha e dytë e rezultateve është kohezioni dhe përfshirja sociale. Në përfundim të këtyre pesë viteve, do të jetë arritur progres i mëtejshëm në treguesit e cilësisë së arsimit, duke përfshirë arsimin parashkollor; të shëndetit, veçanërisht të nënave dhe fëmijëve, të shëndetit seksual dhe riprodhues dhe të sëmundjeve jo të transmetueshme; dhuna ndaj grave do të ketë pësuar rënie të mëtejshme, ashtu sikurse diskriminimi kundër grave, shqiptarëve romë dhe egjiptianë dhe personave me aftësi të kufizuara.

 

– Fusha e tretë e rezultateve trajton rritjen ekonomike, punën dhe bujqësinë. Papunësia, edhe pse në nivele të larta, nuk është aq e lartë krahasuar me pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor. OKB-ja shpreson ta çojë më tej këtë trend, edhe pse burimet në dispozicion janë relativisht modeste.

Ajo do të vazhdojë të punojë për programet e punësimit dhe sipërmarrjes për të rinjtë dhe do të mbështesë përfshirjen e grave, veçanërisht të atyre që jetojnë në zona rurale, në forcën formale të punës.

 

– Ndërsa fusha e katërt e rezultateve trajton mjedisin. Integrimi i ri i shqetësimeve të qëndrueshmërisë në kuadrin e objektivave globalë të zhvillimit, Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, i jep një shtysë madhore kësaj fushe. Potenciali energjetik i Shqipërisë është dhe do të jetë veçanërisht ngushtësisht i lidhur me mjedisin.

Turizmi, si një burim madhor rritjeje, varet nga aftësia e liderëve për të treguar me sukses se mund t’i mbrojnë zonat natyrore pavarësisht presioneve zhvillimore më tradicionale.

Pra, katër fusha: qeverisja; kohezioni dhe përfshirja sociale; rritja ekonomike; dhe mjedisi. Në total, shpresojmë të lëvrojmë 108 milionë USD asistencë, pak më tepër se 20 milionë USD për çdo vit.

Ndërkohë që OKB-ja do të sjellë disa prej burimeve të saj bazë gjithnjë e më të kufizuara, shumë veprimtari të tjera do të duhet të organizohen në nivel lokal.

Ne do të vazhdojmë të menaxhojmë Fondin e Koherencës së OKB-së dhe ta ofrojmë atë si mënyra më efektive e partnerëve për të financuar punën efikase dhe të përbashkët të OKB-së.

Në vija të përgjithshme, suksesi i Programit të Bashkëpunimit varet nga shumë faktorë, më i rëndësishmi i të cilëve mund të jetë cilësia e partneriteteve tona.

Patjetër që ne punojmë ngushtësisht me qeverinë. Por unë besoj se ne mund ta përmirësojmë këtë partneritet. Ne dëshirojmë integrim më të madh në strukturat e vetë qeverisë për koordinimin e zhvillimit, GPMI-të.

Ne dëshirojmë më shumë diskutime të nivelit strategjik në nivel të lartë dhe një angazhim më të madh e kolektiv me INSTAT-in për t’u përqendruar në të dhëna. Ne dëshirojmë të zgjerojmë partneritetet brenda për brenda qeverisë dhe më tej, duke përfshirë institucionet legjislative të qeverisë, institucionet e qeverisë për të drejtat e njeriut.

Marrëdhëniet tona me partnerët për zhvillim janë po aq të rëndësishme. Këtu i referohem jo vetëm marrëdhënieve dypalëshe por edhe shoqërisë civile dhe sektorit privat. Edhe këtu mund të përmirësohemi.

Është e nevojshme që partnerët për zhvillim të jenë pjesë e diskutimeve strategjike, bazuar te fushat tona të rezultateve dhe te GPMI-të, të cilat e ndihmojnë qeverinë të prioritizojë fushat ku OKB-ja mund të ofrojë më shumë asistencë, në linjë me normat tona globale për të drejtat e njeriut.

Ne u jemi shumë mirënjohës për mbështetjen e tyre, jo vetëm financiare, por edhe për përpjekjet e OKB-së për reformim. OKB-ja do të veprojë si “Një OKB” e vërtetë atëherë kur të gjithë partnerët të kërkojnë diçka të tillë nga ne.

Organizata e Kombeve të Bashkuara është krenare që u shërben të gjithë shqiptarëve. Gjatë dekadave të fundit është arritur progres i jashtëzakonshëm social; Shqipëria është një vend vërtet dinamik. Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon të rrisë shpejtësinë e ndryshimit në bashkëpunim me të gjithë ju.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU