“Brexit” shqiptar, ose një ikje nga Perëndimi

Nga Mero Baze

Përpjekjet e shumicës dhe komunitetit ndërkombëtar për një reformë në drejtësi, po prodhojnë një koalicion të ri në Shqipëri. Reforma në drejtësi ka ndarë në dy kampe politikën shqiptare. Pas deklaratës së sotme zyrtare të LSI, ajo ka një qëndrim të ndryshëm nga Partia Socialiste në pushtet dhe diplomatët perëndimorë rreth reformës, duke ju bashkuar qëndrimit të Partisë Demokratike.

Kjo u jep fund shpresave për një reformë në drejtësi sipas versionit perëndimor, mbështetur nga Partia Socialiste, dhe po ashtu i jep fund një prej objektivave kryesore që ka pas mbajtur të bashkuar koalicionin deri më sot. Deklarata e LSI është një lloj konfirmimi i “Brexit”-it shqiptar sa i përket mosdakordësisë me BE dhe SHBA për reformën në drejtësi.

Prej sot, PS dhe LSi mund të jenë bashkë për ndonjë vend pune, për ndonjë plan investimesh, për ndarje buxhetesh dhe beteja lokale, por nuk janë bashkë për objektivin madhor të koalicionit, dhe si i tillë koalicioni politik ka marrë fund. Ai mund të shtyhet përkohësisht si koalicion numerik, por jo politik. PS dhe LSI janë sot si Cameroni dhe konservatorët radikalë që udhëhoqën fushatën kundër BE dhe detyruan kryeministrin të ikte.

Kështu që, 21 korriku duhet pritur si një datë zyrtare për koalicionin, më shumë se sa si një ditë kur do miratohet reforma në drejtësi.

Qëndrimi i LSI i jep fund përpjekjeve ndërkombëtare për t’u bërë thirrje deputetëve të opozitës të votojnë reformën, pasi tani ato thirrje nuk kanë më kuptim pa votat e LSI. Qëndrimi i LSI po ashtu i jep fund dhe ultimatumit amerikan për PD dhe presionit nga e dërguara e kancelares Merkel mbi PD. Tani shumica e Kuvendit është kundër reformës, dhe si e tillë është një arsye e fortë për të rishikuar konfigurimin politik të tij.

Nga ana tjetër, duket se kryeminstri Edi Rama ka dalë tërësisht jashtë loje, duke deklaruar zyrtarisht se tani negociatat duhet të zhvillohen mes SHBA-BE e PD dhe ai pranon gjithçka, duke kaluar në pozitat e pakicës.

Socialistët duhet të testojnë votat pro reformës në Kuvend dhe me atë koalicion duhet të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja.Të gjithë jemi të bindur se në popull ka më shumë vota pro reformës se sa në këtë Kuvend. Dhe meqë nuk kemi mundësi të pyesim popullin për reformën, duhet të shkojmë në zgjedhje t’i kërkojmë vota për reformën.

Çdo përpjekje për t’i shtyrë ato apo për t’u tërhequr zvarrë deri më 2017, vetëm sa e bën më të pashpresë gjendjen në vend dhe i heq kuptimin parimeve mbi të cilat duhet të bëhet politika.

Votimi kundër reformës duke qenë një lloj “Brexit”-i shqiptar, është një ikje nga Perëndimi, dhe pas kësaj shqiptarët duhet të votbesojnë qeverinë.

Ashtu si kryeministri Cameron dha dorëheqje pas humbjes së Brexit, Edi Rama duhet të japë dorëheqje dhe të shkojë në zgjedhje të reja, pas humbjes së reformës në drejtësi për shkak të plasaritjes së koalicionit.

Në vjeshtë të këtij viti shqiptarë duhet të rizgjedhin për t’u qeverisur dhe për t’i dhënë shpresë, ose për t’i vënë kryqe të ardhmes së drejtësisë në Shqipëri, për të konfirmuar, ose përgënjeshtruar “Brexit”-in shqiptar.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU