Brexit: Ja 6 skenarët e rinj të daljes

Nga Peter Barnes

 

Dalje nga BE pa asnjë marrëveshje

Nëse nuk ndodh ndonjë gjë tjetër, qasja e preferuar do të ishte një Brexit pa marrëveshje. Ligji ka hyrë tashmë në fuqi, çka do të thotë se Britania e Madhe do të largohet nga unioni më 29 mars 2019. Dhe në çdo rast, edhe rregullorja e BE-së, thotë që Britania e Madhe do të largohet pikërisht në këtë periudhë.

 

Qeveria do të donte me gjasë të miratonte disa ligje, për t’u përgatitur për një dalje pa asnjë marrëveshje, por kjo nuk është thelbësore. Deputetët e pakënaqur me perspektivën e një Brexit pa marrëveshjeje, e mposhtën qeverinë më 8 janar, duke votuar për të kufizuar aftësinë e Ministrisë së Financave për të rritur disa taksa.

Kjo lëvizje po shihet si simbolike – meqë qeveria ndoshta do të gjente një mënyrë tjetër për të mbledhur para. Por është gjithsesi një tregues, se deputetët do të përpiqen të ndalojnë daljen pa asnjë marrëveshje.

 

Një votim i dytë në parlament

Qeveria mund t’i qëndrojë gjerësisht marrëveshjes aktuale. Zonja Mej, ka thënë se do të ketë diskutime me politikanët e lartë nga partitë e tjera, mbi atë se si të zbatojë planin e saj mbi Brexit. Kjo mund të përfshijë disa ndryshime të vogla, dhe mundësisht të kërkojë ndryshime të vogla, nga BE-ja, në marrëveshjen dypalëshe.

Ose duke bërë premtime se negociatat mbi marrëdhëniet e ardhshme, do të vazhdojnë edhe pasi Britania të jetë larguar nga BE. Sidoqoftë, plani do të kishte nevojë për një votim tjetër së shpejti në parlament. Nëse qeveria shkon atje me të njëjtën marrëveshje, mund të ballafaqohet me një problem.

Ekziston një parim i përgjithshëm, që deputetëve nuk duhet t’u kërkohet të marrin në shqyrtim të njëjtën çështje dy herë në një seancë të vetme. Megjithatë, është argumentuar se ky rregull nuk do të zbatohej, nëse ndryshon vullneti i parlamentit. Dhe në çdo rast, kryetari i parlamentit mund të zgjedhë të lejojë zhvillimin e një debati të dytë.

 

Një rinegocim i ri mbi pikat kryesore

Qeveria mund të propozojë të negociojë një marrëveshje të re të Brexit. Por mund të mos ketë nevojë për të ndërmarrë ndryshime të vogla, dhe zhvilluar një votim të dytë në parlament. Përkundrazi, mund të ketë një rinegocim të plotë që do të kërkonte njëfarë kohe, dhe kjo mund të kërkojë zgjerimin e nenit 50 për të vonuar Brexit.

Kjo do të kërkonte dy hapa thelbësore. Së pari, Britania e Madhe do të duhet të bëjë një kërkesë zyrtare në BE, për një zgjatje të procesit. Kjo mund të arrihet vetëm nëse bihen dakord të gjitha vendet e BE-së. Së dyti, qeveria duhet të paraqesë një instrument ligjor, për të ndryshuar përkufizimin e “ditës së daljes” në Aktin e Tërheqjes së BE-së. Nëse BE refuzon të ri-hyjë në negociata, qeveria do të duhet të presë për një nga opsionet e tjera.

 

Një referendum tjetër

Qeveria mund të zgjedhë të mbajë një referendum tjetër. Ashtu si me rinegociimin apo zgjedhjet e parakohshme, ajo mund të kërkojë një shtyrje të nenit 50. Është tashmë tepër vonë, për të mbajtur një referendum para 29 marsit. Dhe kjo nuk mund të ndodhë thjesht në mënyrë automatike.

Rregullat për referendumet, përcaktohen në një ligj të quajtur ‘Partitë Politike, Zgjedhjet dhe Referendumet’ i vitit 2000. Duhet të ketë një ligj të ri për të mbajtur një referendum, dhe për

 

të përcaktuar rregullat, p.sh mbi ata që duhet të lejohen të votojnë. Edhe pyetja duhet të përcaktohet në legjislacion.

Referendumi nuk mund të zhvillohet menjëherë, pas miratimit të ligjit. Duhet të ketë një fushatë paraprake. Ekspertët në Njësinë e Kushtetutës në Universitetin e Londrës, sugjerojnë se koha minimale për të gjitha hapat e kërkuara më sipër është rreth 22 javë. Edhe nëse ajo mund të shkurtohet disi, sërish do të dilte përtej fundit të marsit.

 

Thirrja e zgjedhjeve të reja parlamentare

Tereza Mej mund të vendosë që mënyra më e mirë për të dalë nga ngërçi, do të ishte mbajtja

e zgjedhjeve të parakohshme – për të marrë një mandat politik për marrëveshjen e saj.

Ajo nuk ka fuqi të thërrasë e vetme zgjedhjet. Por, ashtu si në vitin 2017, ajo mund t’i kërkojë deputetëve të votojnë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme sipas kushteve të Aktit të Afateve Fikse Parlamentare.

Dy të tretat e të gjithë deputetëve, do të duhet ta mbështesin këtë lëvizje. Data më e hershme për zgjedhjet do të ishte 25 ditë pune më vonë, por pas kësaj – kryeministrja do të zgjidhte datën e saktë. Ashtu si me planin “e rinegocimit”, ky kurs veprimi mund të përfshijë gjithashtu një kërkesë në BE për të zgjeruar nenin 50.

Një tjetër mocion mosbesimi

Laburistët mund të paraqesin një tjetër mocion mosbesimi ndaj qeverisë. Sipas ligjit të vitit 2011, zgjedhjet e përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar, duhet të mbahen çdo 5 vjet. Të ardhshmet duhet të mbahen më 2022-in. Por një mocion mosbesimi, u lejon deputetëve të votojnë nëse ata duan që qeveria të vazhdojë punën.

Mocioni duhet të formulohet kështu:”Ky parlament, nuk ka besim në qeverinë e Madhërisë së Saj”. Nëse shumica e deputetëve votojnë pro mocionit, atëherë fillon një numërim mbrapsht 14-ditor. Nëse gjatë asaj kohe qeveria aktuale apo ndonjë qeveri tjetër alternative, nuk mund të fitojë një miocion të ri besimi, atëherë do të thirren zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “BBC” – Bota.al

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU