Brazili siguron fitoren e parë, Neymar e mbyll në lot

Brazili ka vuajtur, ka shpërdoruar, por ka arritur të gjejë fitoren e parë në Kupën e Botës. Një fitore që ka ardhur në minutat e fundit nga këmbët e Philippe Coutinho dhe Neymar, të cilët i kanë dhuruar fitoren 2-0 kombëtares së tyre kundër Kosta Rikës.

Kanë qenë këta të fundit që kanë krijuar rastin e parë të rrezikshëm të ndeshjes, me Gamboa-n që ka shpërdoruar një rast të pastër në minutën e 13-të të takimit, duke drguar topin jashtë nga një pozicion i favorshëm brenda zonës së rreptësisë.

Brazili ka gjetur golin në minutën e 26-të, me Gabriel Jesus, por anësori ka anuluar gjithçka për një pozicion jashtë loje. Pas një pjese të parë të mbyllur pa gola, e dyta ka filluar me sulme të vazhdueshme të pesë herë kampionëve të botës, të cilët kanë shkuar disa herë afër golit me Jesus, Neymar dhe Coutinho. I pari është ndalur nga traversa, ndërsa dy të tjerët nga mbrojtja dhe portieri i Kosta Rikës, Keylor Navas.

Në të 72-ën, ka qenë Neymar që ka shkuar përsëri afër golit, me gjuajtjen e tij me hark që ka përfunduar për pak jashtë. Tetë minuta më vonë ka ardhur momenti që dukej se do të vendoste ndeshjen në favor të brazilianëve. Neymar është penguar në zonën e rreptësisë dhe arbitri Kuipers ka akorduar penallti, për ta ndryshuar vendimin e tij pas ndërhyrjes së “VAR”.

Brazili ka vazhduar të sulmojë dhe ka arritur të realizojë golin që i ka dhuruar fitoren në minutën e 91-të me Philippe Coutinho. Gabriel Jesus nuk ka arritur të kontrollojë një top të futur në zonën e rreptësisë, por ylli i Barcelona ka qenë në vendin e duhur dhe nuk ka falur Navas. Në minutat e mbetura, brazilianët kanë shënuar edhe golin e dytë me Neymar, i cili ka shpërthyer në lot në përfundim të ndeshjes.

Pas këtij rezultati, Brazili ka marrë kreun Grupit E me 4 pikë, teka në vendin e dytë është Serbia me 3 pikë, që do të luajë mbrëmjen e sotme kundër Zvicrës, që mban vendin e fundit me 1 pikë. /TeleSport/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU