Braçe sulmon Frangajn e Manen: “Zengjitët” e rinj dinë vetëm beton

    Duke ju referuar tërmetit 5 ballë që goditi vendin ditën e dielë, deputeti socialist Erjon Braçe thotë përmes një postimi në rrjetin social se shkaqet e këtij të fundit nuk janë vetëm natyrore por edhe njerëzore. Sipas kreut të komisionit parlamentar të ekonomisë, vetë “natyra” ka shfaqur zemërimin e saj me babëzinë e disa personave për të shfrytëzuar minierat e kromit në Bulqizë, ku 14 kilometra afër saj, në Martanesh ishte dhe epiqendra e tërmetit. Braçe thekson se politikat e ndjekura nga ish kryeministri Berisha ishin shkaku se pse biznesmenëve të tij ju rrit babëzia për të fituar dhe shfrytëzuar pa ligj dhe pa masë.

    “Epiqendra e tërmetit në një zonë të gjerë minerare nxit debat dhe jo vetëm. Shkencërisht nuk jam i zoti të argumentoj lidhjen mes aktivitetit të gjerë minerar, tërësisht jashtë monitorimit shkencor prej 25 vitesh, me aktivitetin e fortë sizmik të 24 orëve të fundit në atë zonë. Por patjetër që di të them se mënyra e zhvillimit të pasurive tona minerare, i është larguar përfundimisht shkencës dhe i është dhënë babëzisë. Në Bulqizë për kromin, në Marinëz për naftën. Në të dy zonat më të mëdha minerare të vendit, udhëheq babëzia prej vitesh duke refuzuar përfundimisht shkencën, studimet e paralajmërimet e saj. Qëllimi është fitimi i lartë, paratë me thasë, asfare me zhvillimi i qëndrueshëm dhe në afat të gjatë, pa pasoja për mjedisin, komunitetet dhe ekonominë kombëtare”, thotë Braçe.

    Brace shkon edhe më tej duke sulmuar Sandër Frangajn si dhe biznesmenin Samir Mane, për gërmimet për krom në Bulqizë.

    “Janë zengjinët e rinj këta dhe me ta nuk mund të flitet për ekonominë e gjelbër, zhvillimin e qëndrueshëm e pa pasoja për mjedisin e komunitetet. Me ta mund të flasësh vetëm për para e plaçkë. Beton e leje gjithashtu. Në ditë si kjo edhe ata kanë frikë por mendja e tyre shkon thjesht tek siguria e tyre, pa cënuar thelbin, modelin e zhvillimit që ata kërkojnë, blejnë, paguajnë e përdorin për përfitimet e tyre. Janë ca si ky Sandri e si ky Samiri i Bulqizës dhe jo vetëm; për veten e tyre ndërtojnë një ose dy kate, në sipërfaqe të gjera e të sheshta, larg qyteteve e në rezidenca, por në biznesin e tyre tani duan leje vetëm me 12 kate e lart, drejt qiellit, pa pyetur për asgjë. Njësoj si atje në Bulqize, i njëjti model-përfitim maksimal në kohë e territor. Këta janë rreziku, pavarësisht në janë individë apo korporata si ajo e Marinzës, këta dhe modeli i tyre i biznesit brenda një modeli barbar zhvillimi, me fitime të larta në një kohë të shkurtër pa pyetur asnjëherë për pasojat në mjedis, komunitet dhe ekonominë kombëtare. Duhet të merremi tani, më vonë do jetë shumë-shumë vonë”,thotë Braçe.

    Në përfundim Braçe jep edhe arsyen nga u ‘frymëzua’ për këtë status:  “Menduar në atë minutin e panikut me dy tërmete njëri pas tjetrit në 7 e 30”.

    S'KA KOMENTE

    PËRGJIGJU