Bojkoti i opozitës djeg afatet e Vettingut, plani B i mazhorancës…

Ashtu siç ishte paralajmëruar, komisioni ad hoc, i ngritur nga Parlamenti për verifikimin e kandidatëve për institucionet e Vetingut, nuk ka mundur të zhvillojë asnjë mbledhje brenda afatit të parashikuar në ligj, duke ‘ngrirë’ kësisoj procesin e nominimit të kandidatëve, të cilët do të kalojnë në skaner prokurorët dhe gjyqtarët, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësisë profesionale.

Ngërçi politik, i prodhuar nga bojkoti i partisë më të madhe në opozitë, ka çuar në djegien e afatit të parashikuar në ligjin e Vetingut, brenda të cilit, komisioni ad hoc, duhet të verifikonte kandidatët që kaluan filtrin e parë të Avokatit të Popullit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Në datën 11.4.2017, Parlamenti miratoi ngritjen e komisionit me anëtarë: Ulsi Manja, Vasilika Hysi dhe Luan Rama. Ndonëse pa përfaqësuesit e opozitës, Kuvendi e ngriti komisionin brenda afati treditor të parashikuar në pikën 1 të nenit 8 të ligjit të Vetingut. Ndërkaq, pika pesë e nenit tetë të ligjit të Vetingut parashikon që brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e hartuar me kandidatët, dy komisioneve ad hoc përzgjedhëse.

Ky afat ka përfunduar në datën 21 prill. Deri më sot, pra deri në 26 prill, komisioni nuk ka mundur të zhvillojë asnjë seancë për shkak të mungesë së anëtarëve të partive opozitare. Megjithatë, në datën 18 prill, Parlamenti ngriti edhe dy komisione të tjera, me 12 dhe gjashtë anëtarë, bazuar po në ligjin e Vetingut.

Zbatimi

Ndonëse kryetari i opozitës, Lulzim Basha e ka konsideruar një projekt mafioz dhe komplot, në të cilin janë përfshirë edhe ambasadorë të huaj, procesi i Vetingut konsiderohet si investimi më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Pavarësisht një beteje epike të segmenteve të politikës dhe gjyqësorit për ta rrëzuar, ligji i Vetingut u konfirmua fillimisht nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese. Në këto kushte, zbatimi i ligjit të Vetingut, nën monitorimin e ndërkombëtarëve, duket se është i pashmangshëm.

Dy skenarët

Dy janë skenarët e mundshëm për ngritjen e institucioneve të Vetingut. Sipas variantit të parë, organet e reja të Vetingut mund të konstituohen pas një pakti të mundshëm mes mazhorancës dhe opozitës. Fati i krizës politike tashmë është i lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e Vetingut.

Edhe pse e ka konsideruar projekt mafioz, kryetari i opozitës Lulzim Basha ka deklaruar se është gati t’i hapë rrugë zbatimit të Vetingut nëse plotësohet kushtet për zgjedhjet.

Ndërkaq, në mungesë të një kompromisi të mundshëm mes PS dhe PD, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Vetingut do të zbatohet nga Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 18 Qershorit. Në kushtet e bojkotit të Partisë Demokratike, zgjedhjet e 18 Qershorit do të prodhonin një opozitë të re, e cila do të ushtronte detyrën që refuzon ta ushtrojë opozita aktuale.

Rama për Vetingun

“Sidoqoftë s’ka asnjë problem! Ne do të vazhdojmë me bukë dhe Çadra e Frikës nga Drejtësia le të vazhdojë me gurë. Durimi ynë do të soset vetëm kur të soset kufiri i fundëm i mundësisë për të hyrë të gjithë në zgjedhje. Domethënë deri ditën dhe orën e paraqitjes së emrave të skuadrave, për betejën e 18 qershorit.

Pastaj me Lulëzimin pa Lulëzimin, do ta bëjmë me mandatin e ri të popullit sovran, Vetingun dhe krejt rrugën e zbatimit të Reformës në Drejtësi. E nëse Lulëzimi dhe Çadra e Frikës nga drejtësia, mund ta vonojnë plotësimin e komisioneve të Vetingut dhe nisjen e punës së tyre, duke mos u paraqitur në punë deri në ditën e fundit të këtij kuvendi, dita e parë e Kuvendit të Ri do të shënojë edhe fundin e kësaj pengmarrjeje të turpshme të drejtësisë!”

Basha për Vetingun

“Para 48 orësh propozoi ta shtyjmë Vetingun pas zgjedhjeve, përgjigja ime, përgjigja jonë është: Asnjë shtyrje për Vetingun.

Menjëherë pas qeverisë, që do të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pra menjëherë pas paktit kombëtar për qeverinë zgjedhore, ne jemi gati të votojmë Vetingun dhe pesë ligjet e tjera në përputhje me marrëveshjen konsensuale, politike, të 22 korrikut dhe t’i japim rrugë gjyqtarëve dhe prokurorëve të pavarur të bëjnë punën e tyre në bazë të ligjit dhe jo në bazë të maliqit, të orekseve, paranojave apo anktheve të justifikuara të maliqit.

Nuk e do, sepse kjo e nxjerr në pah dinakërinë, tinzarinë e tij dhe mercenarëve të Xhorxh Sorosit, që e ka mbështetur këto dy vite jo për të reformuar drejtësinë shqiptare, por për ta kapur drejtësinë shqiptare dhe për t’ia dorëzuar peshqesh njeriut më të korruptuar dhe më të inkriminuar në skenën politike ballkanike”.

Legjislacioni për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Vetingut

Neni 8, ligji i Vetingut

1. Kuvendi, brenda 3 ditëve nga marrja e listës së kandidatëve, të cilët i plotësojnë kriteret formale, listës së kandidatëve, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale, dhe listës së rekomandimeve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, miraton krijimin dhe përbërjen e një komisioni ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, si dhe procedurat parlamentare për funksionimin e komisioneve dhe realizimin e procesit të votimit, sipas këtij neni dhe nenit 9 të këtij ligji.

2. Kryetari i Kuvendit, brenda ditës së dorëzimit të listave të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, njofton datën dhe orën e mbledhjes së seancës plenare për krijimin dhe përbërjen e komisionit ad hoc të verifikimit të kandidatëve. Në këtë njoftim, Kryetari i Kuvendit i kërkon grupeve parlamentare të shumicës dhe pakicës parlamentare që të dërgojnë deri ditën e nesërme të njoftimit propozimet e tyre për përbërjen e këtij komisioni ad hoc. Kryetari i Kuvendit, brenda ditës së nesërme nga krijimi i komisionit ad hoc, i përcjell secilit prej anëtarëve të tij dokumentacionin për të gjithë kandidatët.

3. Komisioni ad hoc, pas zhvillimit të një seance dëgjimore me kandidatët, vendos: a) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale tek lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale, me të paktën katër vota;

b) të kalojë një kandidat nga lista e kandidatëve të rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit tek lista e kandidatëve për votim, me të paktën pesë vota.

4. Lista për votim përmban kandidatët të cilët plotësojnë kriteret formale, përveç atyre që nuk janë rekomanduar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe që nuk janë miratuar me vendim të këtij komisioni ad hoc, sipas pikës 3 të këtij neni.

5. Brenda dhjetë ditëve nga krijimi i tij, komisioni ad hoc i përcjell listën e hartuar sipas pikës 4 të këtij neni, komisioneve ad hoc përzgjedhëse. Dy listat e tjera nuk dërgohen për votim, shkruan Shqiptarja.com.

6. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit merr masat e nevojshme për krijimin e kushteve për ushtrimin e veprimtarisë së komisionit ad hoc të verifikimit të kandidatëve.

7. Komisioni ad hoc funksionon bazuar në dispozitat e këtij ligji dhe, për aq sa është e mundur, sipas Rregullores së Kuvendit./Shqiptarja.com

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU