Bojaxhi: Po përpiqen t’i zhvasin Parkut copa të tjera trojesh

Gjergj Bojaxhi vijon betejën e tij për Parkun e Liqenit Artificial. Ja çfarë shkruan ai në një postim të sotë në rrjetet sociale:

Në vijim të punës sistematike për shkatërrimin me dashje të pronës publike për interesa private, denoncojmë sot “bëmën” e rradhës të Bashkisë Tiranë.

Ditën e sotme Këshilli Bashkiak është duke shqyrtuar një projekt vendim për kalimin e Parkut të Madh të Liqenit Artificial (asetet e ndodhura në të) nga Drejtoria e Përgjithshme nr. 1, në administrimin e Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit.

Në mungesë të një harte nga ana e Këshillit Bashkiak, ne kemi bërë një verifikim të numrave të pronave të bëra publike në komunikimin e vendimit dhe duket qartë se nëpërmjet këtij vendimi, Këshillit Bashkiak i Tiranës po i kalon në administrim Agjensisë së Parqeve dhe Rekreacionit, një sipërfaqe më të vogël sesa sipërfaqja aktuale e Parkut, e miratuar me vendim të KKT.

Kjo është pa dyshim një tjetër përpjekje për t’i grabitur parkut copa të tjera trojesh, të cilat me siguri do të jepen për ndërtim.

Pronat që mungojnë janë në pjesën juglindore të parkut, në zonën me ndërtime informale, e cila praktikisht po hapet për zhvillime rezidenciale apo kullash, në veri, në zonën poshtë digës, dhe pjesën jugore, në anën e Farkës pranë unazës së madhe.

Ne sot po i drejtojmë 2 pyetje Kryetarit të Bashkisë dhe të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak:

1) Pse APR-së po i kalohet për menaxhim një kufi parku i pa përcaktuar qartë dhe po harrohen shumë prona publike pa u përfshirë në të?

2) Pse nuk miratohet Plani për Parkun i cili të parashikojë zgjerimin e sipërfaqës të parkut dhe pas miratimit të kufijve të zgjeruar të parkut, t’i kalohen APR-së të gjitha sipërfaqet për menaxhim, me klauzolat specifike?

I bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të distancohen nga vendimmarrje të tilla, të cilat i bëjnë bashkëpunëtorë në shkatërrimin e pronës publike, kundër interesit të përgjithshëm publik dhe vetëm për interesin e ngushtë të kryetarit.

I bëjmë thirrje Kryetarit të Bashkisë që përpara se të dali dhe të derdhi lot krokodoli përpara dyerve të gjykatave, të sigurohet që të paktën sipërfaqja e parkut të liqenit nuk kafshohet “pa dashje” nga këto pakujdesi në vijëmësi të tijat.

Vendimmarrje të tilla janë në kundërshtim me interesin e qytetarëve të Tiranës dhe ne jemi këtu për t’i denoncuar ato dhe për t’i dalë për zot pronës publike, e cila më shumë se kurrë, po rrezikohet të shkatërrohet nga kush supozohet t’a mbrojë atë.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU