Blushi: Deputetëve që votojnë ligjin e plehrave t’u shkruhet emri te kazani i lagjes

“Çdo deputeti që voton sot këtë ligj, duhet t’i shkruhet emrin në kazanin e plehrave të lagjes. Sepse ka ardhur koha, që çdo kazan të ketë një emër. Emrin e deputetit që e voton sot këtë ligj”. Kjo është deklarata e fortë që bën deputeti socialist Ben Blushi në një shkrim të publikuar sot në portalin lapsi.al, si një ndëshkim “të merituar” thotë Blushi për pr/ligjin për importin e mbetjeve në Shqipëri i cili ka ngjallur reagimin e shoqërisë civile.

Sipas Blushit, me këtë akt, “morali politik i këtij grupi të ndotur keqbërësish merr fund”, sepse kujton Blushi, “Rilindja po voton ligjin e PD për importin e mbetjeve, një ligj të cilin e pati shfuqizuar vetë në vitin 2013”, shkruan deputeti socialist për lapsi.al.

“Nga nesër, të dyja bashkë, Rilindja dhe PD, do të nxjerrin kokën nga kazanët e plehrave dhe do të na buzëqeshin. Natyrisht nuk na mbetet tjetër vetëm të kalojmë aty dhe t’ua hedhim plehrat në kokë për t’i mbuluar”, vijon më tej Blushi.

Ai shkon edhe më tej kur thotë se ky ligj rikthehet sërish në Parlament sepse është i blerë.

“Nëse duhet të them pse erdhi ky ligj sërish në parlament, pasi ai u hoq në vitin 2013, natyrisht e kam një përgjigje: ky ligj është i blerë. Dikush ka paguar për ta sjellë në parlament. Pa asnjë dyshim. Rilindja nuk e fsheh më se e ka shitur ligjin në treg. Eshtë krijuar me sa duket nën kujdesin e veçante të Partive Tregtare të Rilindjes edhe një treg i ri: tregu i ligjeve”, shkruan Blushi për lapsi.al.

“Kjo pra është çështja. Ligjin nuk e ka sjellë në Kuvend interesi publik, por interesi privat. Interesi publik kërkon pastërti,interesi privat kërkon para. Qeveria u rreshtua me të dytën. Eshte kaq e thjeshtë, kaq e poshtër dhe kaq kriminale. Prandaj pyetja mbetet prej shumë kohësh: Kush e qeveris Shqipërinë? E qeveris një grusht biznesmenësh, të cilët dje kishin kapur PD dhe sot kanë kapur Rilindjen. Pra rotacioni i pushtetit nuk vlen më në Shqipëri. Shqiptarët votojnë dhe gjithmonë nga kutia e votimit del një grup biznesmenësh, pronë e të cilëve janë edhe dy partitë e mëdha, PD dhe Rilindja dhe, një pak më e vogël, e cila bën transportin e bizneseve nga njëra të tjetra. Mes dy brigjeve që i ndot i njëjti moçal, ka gjithmonë nevojë për një kazan lundrues”, shkruan Blushi.

Panorama/d.i.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU