Besueshmëria e qytetarëve te ekonomia në rënie, momente të vështira për ndërtimin

Sipas Bankës së Shqipërisë, situata e ekonomisë shqiptare mbetet pozitive. Me përjashtim të sektorit të ndërtimit, operatorët në sektorët e tjerë kryesorë kanë ndjesi në rritje për performancat e tyre. Ndërkohë, ndjesia e konsumatorëve shkon në të kundërt të kësaj tendence.

Ndjesia ekonomike 

Treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 3.7 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij, ve në dukje BSH. Sipas vrojtimit të saj mbi besimin e biznesit dhe konsumatorit për periudhën janar-mars 2018, rritja e TNE-së reflektoi përmirësimin e besimit në sektorët e tregtisë, të shërbimeve dhe të industrisë. Në të kundërt, besimi në sektorin e ndërtimit dhe besimi i konsumatorëve shënuan rënie në tremujorin në analizë.

Industria

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 2.4 pikë përqindje, gjatë tremujorit të parë të vitit 2018. Kjo dinamikë e zhvendosi treguesin rreth 10.2 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Rritja e TBI-së pasqyroi përmirësimin e të tre balancave përbërëse të tij: prodhimit, gjendjes së inventarëve dhe kontratave porositëse.

Ndërkohë, balanca e pritjeve për ecurinë e prodhimit në tremujorin e ardhshëm mbetet në të njëjtin nivel me tremujorin e mëparshëm. Norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 72.3%, duke qenë pothuajse në nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe rreth normës së mesatares historike të saj. Kundrejt tremujorit paraardhës, kjo normë shënoi një rënie të lehtë me 1.0 pikë përqindje.

Ndërtimi

Ndërsa treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit, pavarësisht nga një rigjallërim i lejeve të ndërtimit, vijoi të bjerë gjatë tremujorit të parë, duke rezultuar 1.4 pikë përqindje më poshtë nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm. Si rrjedhojë, TBN-ja qëndron rreth 6.7 pikë përqindje nën mesataren historike të saj. Niveli më i ulët i TBN-së u përcaktua nga rënia e balancës së kontratave porositëse, ndërsa aktiviteti ndërtues qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si një tremujor më parë. Balancat e tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm, shënuan gjithashtu rënie.

Shërbimet

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve  vazhdoi tendencën rritëse edhe gjatë tremujorit të parë. TBSH-ja qëndron 3.6 pikë përqindje më lart nivelit të tremujorit të mëparshëm dhe rreth 20 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i treguesit pasqyroi rritjen e balancës së kërkesës me 8.5 pikë përqindje. Në të kundërt, balanca tjetër formuese e TBSH-së, ecuria e biznesit, ra me 1.2 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balancat e tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, punësimi, si dhe pritjet për kërkesën dhe për punësimin në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve qëndroi në 75.8%, rreth 5.2 pikë përqindje më lart nivelit të shënuar në tremujorin e mëparshëm dhe mbi mesataren historike të treguesit. Megjithatë, kjo normë mbetet nën nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë.

Tregtia

Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë u rrit me 6.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të parë. Kjo dinamikë rritëse e zhvendosi treguesin sërish mbi mesataren historike të tij, me 5.7 pikë përqindje.

Ndërkohë, balanca të tjera të vrojtimit, si gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm, shënuan rënie.

Konsumatori

Treguesi i besimit konsumator ra për të dytin tremujor radhazi, me 1.6 pikë përqindje. Megjithatë, TBK mbetet rreth 1.4 pikë përqindje mbi mesataren historike të tij. Ecuria e TBK-së u ndikua kryesisht nga rënia e balancës së blerjeve të mëdha, në një masë më të vogël nga rënia e balancave të situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend dhe e situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve. Ndërkohë, balanca tjetër përbërëse e TBK-së – situata financiare e pritur e familjes – qëndroi pothuajse në të njëjtin nivel si tremujori i mëparshëm./Shqiptarja/a.m.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU