Beqaj në Shëngjin: Shtohen masat për qendrat shëndetësore në bregdet

Rritja e numrit të pushuesve dhe për pasojë edhe e pacientëve të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore pranë qendrave shëndetësore në bregdet, ka kërkuar marrjen e të gjitha masave nga Ministria e Shëndetësisë, ndaj kreu i këtij institucioni ka kryer një tjetër vizitë pune pikën e Shëngjinit.

“Këtu, tashmë ka një eksperiencë nga viti i kaluar, është viti i dytë që ofrojmë këtë shërbim përgjatë periudhës së verës. Këtu, praktikisht punojmë prej 6 javësh, dhe na rezulton se në këtë kohë kemi pasur 974 vizita mjekësore, ndërsa rezulton se përgjatë javës së fundit ka pasur një fluks akoma më të rritur, sepse kështu vjen edhe kurba e rritjes së numrit të pushuesve, mysafirëve dhe vizitorëve. Besoj se edhe javën e ardhshme, e deri në mes të gushtit, do të kemi një numër më të madh. Javën e kaluar kemi patur mbi 240 raste,” theksoi ministri Beqaj.

Kreu i shëndetësisë theksoi se shërbimi shëndetësor që ofrohet është i plotë, duke filluar që nga autoambulanca, barnat, materialet mjekësore e deri tek ndihma që u jepet të sëmurëve në Spitalin Rajonal të Lezhës, apo edhe më tej.

Ndërkohë, mjekët kanë pohuar se gastroenteritet dhe problemet nga dielli vazhdojnë të dominojnë në rastet e pacientëve që kërkojnë shërbim shëndetësor. Përgjatë fundjavës Drejtoria e Shëndetit Publik të Lezhës ka marrë masa duke shtuar prezencën me shërbim mjekësor për të mbuluar edhe pjesën e plazhit të Tales.

BW/d.i.

 

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU