Beogradi provokon: Duam afrim me “krahinën tonë jugore” – Kosovën

Vendosja e Asociacionit të Komunave serbe është imperativ për suksesin e normalizimit të mëtejmë të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës, ka thënë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriç. Ai ka theksuar se Beogradi do të bëjë presion shtesë dhe aktivitet diplomatik me qëllim që kjo edhe të ndodhë në vitin 2016.

Vendosja e AKS –së, siç i ka thënë Gjuriç agjencisë serbe të lajmeve Tanjug, do të jetë njëra nga temat në vazhdimin e bisedimeve që priten të mbahen në fund të janarit, por në këto biseda do të flitet edhe për çështjen e pasurisë dhe statutin e pozitën e Kishës Ortodokse serbe, transmeton Koha.net.

“Dëshirojmë që viti 2016 të jetë vit i dialogut, afrim i marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës, neve dhe krahinës sonë jugore, në interes të njerëzve tanë. Një pjesë shumë e madhe e raporteve pronësore dikton që çështja pronësore dhe e qytetarëve si dhe çështja e statusit dhe e pozitës së KOS-it, që në një pjesë është e lidhur me çështjen e pasurisë, të jetë diçka për të cilën do të insistojmë si tema në bisedime. Në plan të parë është zbatimi i marrëveshjeve për vendosjen e AKS-së”. ka thënë Gjuriç.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU