Sulmuesi i Real Madridit, Karim Benzema, ka pranuar se nuk e ka as shpresën më të vogël që vitin e ardhshëm do të jetë pjesë e Përfaqësueses së Francës në botërorin “Rusia 2018”. Ai jo që nuk shpreson për botëror, por nuk pret të ftohet fare nga Franca përderisa të jetë seleksionues Didier Deschamps.
“Natyrisht, besoj se një ditë do të luaj për Francën, ende besoj në këtë mrekulli”, është shprehur Benzema 29-vjeçar, shkruan AFP, transmeton “Koha Ditore”.
“Por kanë kaluar mbi dy vjet dhe unë nuk jam budalla. Përderisa të jetë trajner Deschamps, unë nuk do të ftohem te Franca dhe për këtë arsye as që po mbaj shpresa për të luajtur vitin tjetër në botëror”. Benzema, i cili ka shënuar 27 gola për Francën, herën e fundit ka luajtur për Përfaqësuesen në muajin tetor të vitit 2015.
Deschamps as që e ka marrë parasysh sulmuesin e Realit, të cilin nuk e ftoi as në “Euro 2016”, si dhe nuk llogariti në shërbimet e tij për ciklin eliminator të botërorit “Rusia 2018”.
Injorimi ndaj Benzemas nisi kur ai u përfshi në skandalin e xhirimit seksual të bashkëlojtarit të tij, Mathieu Valbuena. Benzema ishte akuzuar nga Valbuena se e kishte shantazhuar, duke luajtur rolin e negociatorit për një bandë.
“Natyrisht, dua të luaj në botëror për shkak se kjo është ëndërr e çdo futbollisti. Dua të fitoj diçka me Francën, por gjithçka mori fund pas atyre akuzave të pabaza. Askush nuk më besoi dhe kjo më ka dëmtuar shumë”, ka pranuar Benzema… (b.an)