Bayern e Atletico bëjnë ofertë për Hysajn, Napoli: I pashitshëm

Higuain po, Hysaj jo! Sulmuesi argjentinas mund të shitet te Paris SG, por mbrojtësi shqiptar është konsideruar i pashitshëm nga klubi i Napolit. Lojtari kuqezi është një bast i fituar për klubin nënkampion të Italisë, i blerë nga Empoli për katër milionë euro dhe tani i kërkuar për shumë më tepër dhe nga klube jo të rëndomtë.

I pari ishte Atletico Madrid, që të shtunën në mbrëmje mund të kurorëzohet kampion i Evropës. Corriere dello Sport shkruan se klubi madrilen ka ofruar 15 milionë euro, të cilat Napoli i ka refuzuar pa bërë asnjë bisedim.

Më pas ishte Bayern i Munihut, që kishte dërguar edhe vëzhgues për ta parë nga afër lojtarin. E njëjta ofertë, 15 milionë euro, por që mund të shkonte në 18 milionë, bazuar në bonuset e ndryshëm. Përsëri Napoli ka refuzuar, duke dhënë përgjigjen se Hysaj është i pashitshëm.

Ose, mund të pritet një moment më i përshtatshëm dhe çmim më i lartë. Në prag është kampionati evropian dhe Hysaj do të jetë atje, me kombëtaren e Shqipërisë. Pas një kampionati fantastik me Napolin mund të shkëlqejë edhe më tepër në vitrinën evropiane, ndërkohë që për sezonin e ardhshëm me klubin do të jetë në Champions League.

Të gjitha këto mund të sjellin vetëm ngritje të çmimit. Ulje jo, pasi Hysaj e ka treguar shpejt se ç’është në gjendje të bëjë, një bast i fituar!

D.Ikonomi

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU