Bashkëqeverisja, kur shteti funksionon si zjarrfikëse

Nga Skënder Minxhozi/

Ka një adresë dixhitale në këtë shtet, ku mund të padisësh, të ankohesh a të denoncosh një zyrtar çfarëdo. Kudo që ai të ndodhet dhe cilado qofshin kompetencat e tij. Plaftorma e bashkëqeverisjes, një nismë e qeverisë për të mbledhur ankesat dhe zgjidhur hallet e atyre që gjejnë pengesa nga institucionet e varësisë në të gjithë territorin. E lançuar në shtator të vitit 2017, bashkëqeverisja reklamohet prej kohësh si formula magjike për ta bërë më efektiv, më të pranishëm dhe më të drejtpërdrejtë shtetin në të gjithë territorin e vendit, edhe aty ku dora e institucioneve dhe hija e ligjit treten në ujë, përballë kaosit, korrupsionit dhe shpërfilljes së zyrave të taksave, hipotekave, arsimit, shëndetësisë e plot funksioneve të tjera që duhet të mbulojë një qeverisje normale.

Kryeministri dhe zyrtarë të lartë të qeverisë japin shpesh përditësime të çeshtjeve të ankimuara, të cilat kanë gjetur zgjidhje me anë të kësaj platforme. Jepen gjithashtu edhe masat ndëshkimore për ata zyrtarë që kanë shpërfillur kërkesat dhe hallet e njerëzve të thjeshtë. Gjithçka në këtë lloj prenzantimi është e fokusuar tek pozitiviteti, reagimi i shpejtë e rigoroz i qeverisë qëndrore, ndaj zvarritjeve e shkeljeve që vihen re në të gjitha katet e administratës shqiptare, edhe në skutat më të humbura të vendit. Dora e qeverisë qëndrore bie e ashpër mbi shkelësit e abuzuesit që mbajnë vula e firma në dorë dhe që luajnë me problemet e shqiptarit të thjeshtë.

E parë kështu, plaftorma e bashkëqeverisjes duket një iniciativë që meriton veçse uratën e mijëra hallexhinjve dhe duartrokitjet e pjesës tjetër të shoqërisë, që më në fund kanë gjetur një derë për të trokitur e për të gjetur zgjidhje. Por nëse i largohesh pak dhe e sheh nga një tjetër prizëm, nuk është aspak e vështirë të perceptosh defektet e mëdha e të përjetshme të shtetit shqiptar që kjo platformë i le thuajse të paprekura: dobësinë, injorancën dhe korruptimin e institucioneve kryesisht lokale. Bashkëqeverisja është një panair hallesh gjithfarësh, mbi 33 mijë të tilla të depozituara sipas shifrave të fundit, e cila ka zgjidhur një pjesë prej tyre, duke larguar nga puna 300 zyrtarë që kanë neglizhuar skajshëm problemet e qytetarëve. Një logjikë e thjeshtë të thotë se jo të gjithë dinë t’i adresohen Bashkëqeverisjes, e jo të gjithë e marrin mundimin “t’i shkruajnë kartë” qeverisë qëndrore. Pra, hallet janë realisht shumë më tepër sesa shifra e mësipërme.

Tek shifrat, pra tek detajet, duket se fshihet edhe ”djalli” i Bashkëqeverisjes. 33 mijë ankesa në harkun e një viti e gjysëm, janë një masë e frikshme pakënaqësie e reklamimesh që qytetarët e thjeshtë depozitojnë në derën e zyrës së Edi Ramës, për zgjidhjet e munguar në zyrat e shtetit. Nëse ke fjala vjen një problem hipoteke në Devoll, Bashkëqeverisja të fton të kapërcesh me një sms celulari apo një mesazh në rrjetet sociale, të gjitha hallkat administraitve që ndajnë Korçën nga Tirana, për ta zgjidhur problemin në hapësirën dixhitale të qeverisë qëndrore. Halli zgjidhet, mosfunksionimi i institucioneve mbetet.

Ankimuesi merr vulën që hipoteka lokale e Korçës nuk ja jepte, por të gjithë nëpunësit e shefat matrapazë që me gjasë kanë kërkuar para për të bërë punën e tyre, nuk pësojnë asgjë. Sepse të heqësh nga puna 300 vetë, përballë një mali ankesash me 33 mijë raste, do të thotë së pari që të kesh një administratë tejet të dobët e inefiçiente, por edhe të reagosh butë e të penalizosh vetëm pak prej “halabakëve”, siç e quajti kryeministri ish-drejtorin e hipotekës së Durrësit, para se ta shkarkonte.

Plaftorma e bashkëqeverisjes është një alternativë emergjence, e jo një strategji afatgjatë e shtet-ndërtimit. Është paracetamol, e jo ndërhyrje kirurgjikale për të hequr të keqen nga trupi. Si e tillë, ajo është një gjetje që vërtetë shfryn pjesërisht zemëratën sociale të momentit, por nga ana tjetër mbjell indirekt pasivitet e përgjumje në administratën shqiptare. “Pse të lodhemi ne, le ta bëjë Bashkëqeverisja”!

Shteti s’mund të jetë një zjarrfikës i halleve urgjente, që i kanë ardhur deri tek fyti shqiptarit të zakonshëm. Administrata duhet të funksionojë në të gjitha hallkat e saj, e jo vetëm në segmentin e “ndërhyrjes së shpejtë” të Bashkëqeverisjes. Për ta thënë me fjalë të thjeshta, vlen ku e ku më tepër të mos emërosh fare “halabakë” në zyrat e shtetit, sesa të zgjidhësh një hall që ky zyrtar i papërgjegjshëm ka lënë pas vetes pa zgjidhur. I pari është parandalim, e dyta është eleminim pasojash. Dhe dihet që është shumë më mirë të parandalosh sesa të shërosh.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU