Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, pak para nisjes së seancës parlamentare të ditës së sotme, ka hedhur akuza në drejtim të Kryeministrit Edi Rama në lidhje me aferën e CEZ dhe kërkesën e opozitës për hetim ndërkombëtar.
Përmes një statusi të publikuar në Facebook, Basha akuzon Ramën se po kthehet avokat i një sistemi drejtësie që po ai e ka sulmuar gjithë këto vite, ndërsa kur bëhet fjalë për aferën orej 600 milionë euroshe e mbron atë.
Sipas Bashës, Rama ka frikë nga hetimi ndërkombëtar, por shton se shpresat e kryeministrit për të ia hedhur janë të kota. Ai nënvizon se hetimi ndërkombëtar për këtë çështje do të bëhet dhe e vërteta do të zbardhet.
“Ka dy vjet qe shan, mallkon, akuzon dhe shantazhon sistemin e drejtesise, por kur duhet te mbroje aferat e tij shnderrohet si askush tjeter ne avokat te saj. Pse i trembet Edi Rama hetimit nderkombetar per aferen 600 milion euro? Pse ka frike nga e verteta? Popullit i ka vajtur thika ne palce ndersa kokoshi 200 milionesh kakaris me shpresen se do t’ja hedhe pa i hyre gjemb ne kembe. Ky qe trajton nje popull te tere si hajdut eshte nen akuze per vjedhjen e shekullit, jo 6 as 60 por plot 600 milion euro, dhe perseri do ti ike hetimit. E ka kot. Hetimi do te kryhet, drejtesia do te behet, e verteta do te zbardhet, ligji do te veproje mbi kedo qe ka abuzuar me pasurite e qytetareve shqiptare.” shkruan Basha