“Gjëja më e lehtë për mua do të ishte të largohesha. Por unë kam vendosur t’i ngrij funksionet e mia politike dhe t’ia delegoj ato dy nënkryetarëve”. Kështu ka deklaruar mbrëmjen e sotme Lulzim Basha teksa la të nënkuptohej se do të kandidojë sërish në zgjedhjet për kreun e PD në muajin korrik.
“Marr të gjitha përgjegjësitë për rezultatin. Demokratët meritojnë një bilanc të plotë dhe ballafaqim të hapur e të vërtetë. Sa kam gabuar dhe ku kam gabuar, nuk e përcaktoj unë, as ata që nuk punuan për fitoren e PD-së. Këtë e përcaktojnë demokratët. Unë ngrij të gjitha funksionet e mia organizative si kryetar dhe do të ketë garë për kryetar sipas parimit “një anëtar, një votë”. Unë kam projekt dhe projektin tim e vlerësojnë demokratët. Unë mbaj përgjegjësi jo duke ikur, por duke luftuar deri në fund me ta e për ta”, tha Basha në reagimin e parë pas humbjes së zgjedhjeve të partisë së tij..
***
Pas kërkesës nga dhjetra personalitete brenda PD-së për dorëheqje, kreu i kësaj partie ka dalë në një konferencë urgjente për shtyp.
Lulzim Basha e ka nisur fjalën e tij me një falenderim për kandidatët, komisionerët dhe simpatizantët.
Sipas kryetarit të PD, projekti që ai kishte lindi sëbashku me qytetarët.
“Në zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht dekriminalizimit dhe betejës kundër drogës, sërish krimi dhe paraja e pisët dhe presioni i shtetit nuk u ndal. Blerja e votës u bë në mënyrë masive. Me para të pista drogë dhe korrupsioni qeveritar u blenë votat. Kjo ishte një garë e pabarabartë. Në 25 qershor triumfoi paligjshmëri. Unë dhe PD morëm një rezultat zhgënjyes. Qytetarët ishin nën presion për të shitur votën. Qindra mijëra qytetarë refuzuan të shiten dhe janë frymëzim për mua. Është e qartë si drita e diellit se krimi, bandat dhe drogat kanë vetëm një pengesë. Kjo është një luftë për jetë a vdekje. Një luftë që kemi ndërmend ta vazhdojmë deri në fitore. Nuk i fus në një thes socialistët e ndershëm” – tha Basha.