Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nga Brukseli ku ndodhet ka vijuar sulmet ndaj mazhorancës duke u ndaur tek çështja e dekriminalizimit. Basha ishte i pranishëm në sallën e komisionit të Parlamentit Evropian ku u diskutua dje mbi zgjedhjet lokale të 21 Qershorit në Shqipëri.
Pas seancës, Basha duke folur për mediat tha se është hera e parë pas 13 vjetësh Shqipëria shënohet si vendi që nuk garanton votën e lirë të qytetarëve. Basha tha se ndonëse seanca ishte thirrur për të diskutuar raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, në çështje kryesore të diskutimit u shndërrua dekriminalizimi.
“Pa zgjidhjen e këtij problemi, pa dekriminalizimin, as që mund të bëhet fjalë për të adresuar problemet e tjera të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndaj dekriminalizimi është nevojë urgjente në vetvete por edhe në funksion të një procesi të mundimshëm, siç tha zonja Glover, të rikthimit të besimit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Lideri i opozitës tha se, Partia Demokratike është e vendosur që procesin ta çojë deri në fund dhe të përjashtohet nga çdo funksion drejtues çdo person të zgjedhur apo të emëruar me rekorde kriminale.
Por, Basha tha se mazhoranca ka treguar mungesë vullneti pasi Në Komisionine Posaçëm për Dekriminalzimin, anëtarët e qeverisë janë përpjekur të bllokojnë procesin edhe pse PD k paraqitur një draft që bazohet tek rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Kjo është një dëshmi tjetër e mungesës së vullnetit për dekriminalizimin nga Edi Rama i cili është shënuar si arkitekti i kriminalizimit të politikës dhe administratës së lartë. Tashmë po shënohet si personi që po bën gjithçka për ta bllokuar dekriminalizimin. Sot nga Brukseli kam një mesazh për qytetarët shqiptarë; beteja për dekriminalizimin duhet të fitohet sepse është nyja gordiane ku lidhen të gjitha problemet e tjera të Shqipërisë si vota e lirë, ekonomia, varfëria dhe lufta kundër saj, papunësia, mirëqenia. Pa fituar këtë betejë Shqipëria nuk mund të ecë përpara”, u shpreh Basha.
Në seancën e djeshme të PE-së ishin të pranishëm për shkëmbimin e pikëpamjeve Audrey Glover, kreu i Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR dhe Romana Vlahutin, kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.