Banorët e Unazës së Re vijojnë protestën në ditën e 25-të. Protesta ka nisur që në orët e para të ditës së sotme, ku banorët kanë shpalosur një flamur kuqezi me rastin e festës së Pavarësisë. Më pas banorët e ‘Astirit’ bllokuan rrugën për disa orë duke detyruar makinat që të hipin në trafik-ndarëse për të marrë kthesën. Në mesditë rruga u rihap, ndërsa mbrëmjen e sotme në orën 17:00 si cdo ditë është bllokuar sërish.
Protesta e banorëve të Astirit vjen në një kohë kur IKMT ka nisur shembjen e banesave dhe objekteve për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së Madhe të Tiranës. Në mbështetje të banorëve kanë shkuar sërish deputetë të Partisë Demokratike, ndërkohë që Bashkia Tiranë ka ofruar për banorët një bonus qiraje me afat 3-vjeçar.
Deputetja e PD: Veliaj s’u takua me banorët, ata ishin policë dhe rrogëtarë
Deputetja e PD, Albana Vokshi u shpreh në protestën mbrëmjen e sotme se Erion Veliaj dhe Edi Rama kërkojnë t’i shembin këto banesa jo për projektin e supozuar, por për t’ia dhënë klientëve të tyre si terren për të zhvilluar pallate e kulla.
“Kauza e këtyre qytetarëve është një kauzë e drejtë dhe do triumfojë mbi dhunën e Edi Ramës dhe asaj policore. Meqenëse Erion Veliaj nuk i kishte bërë mirë llogaritë, situata shkoi sërish tek mashtrimi e manipulimi. Asnjë prej protestuesve nuk ka qenë pjesë e takimit që u zhvillua në sallën e Këshillit Bashkiak me Erion Veliajt. Kanë qenë të gjithë policë, nuk kanë qenë as protestuesit dhe as banorët. Janë rrogëtarë, ato marrin porositë e Erion Veliajt.
Ai po mundohet që të dizinformojë, të mashtrojë banorët, por këtë nuk do t’ia arrijë dot. Erion Veliaj dhe Edi Rama kërkojnë t’i shembin këto banesa jo për projektin e supozuar, por për t’ia dhënë klientëve të tyre si terren për të zhvilluar pallate e kulla”deklaroi ajo.
ma.me