Banorët e Astirit, pallati i vjehrrit dhe votat e PD-së

Nga Eduard Zaloshnja

Pas 18 majit të vjetshëm, kur Rama e Basha bënë një marrëveshje kokë më kokë, u regjistruan tre fakte: PD-ja mori pjesë në zgjedhje; PD-ja mori vetëm 460 mijë vota në zgjedhje; pronarët e pallatit në Ujin e Ftohtë (Vlorë), të shembur nga qeveria, u dëmshpërblyen prej saj me 14 milionë euro (vjehrri i Bashës, ishte ndër përfituesit kryesorë të kësaj shume).

Sa më sipër, mund ta çojë apriori dikë në gabimin logjik: “Post hoc, ergo propter hoc” (pas kësaj, pra prej kësaj). Por rrjedha e ngjarjeve pas 18 majit të vjetshëm, të bën të mendosh se, në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me një gabim logjik, por me një marrëdhënie shkak-pasojë.

Para marrëveshjes së 18 majit, sondazhet e publikuara atëherë, tregonin se, PD-ja mund të merrte rreth 35% të votave të pjesëmarrësve në zgjedhje. Por pas 18 majit, kuota e PD-së ra në 30% (rreth 480 mijë vota). Dhe ditën e zgjedhjeve, PD-ja regjistroi vetëm 460 mijë vota…, që përbën minimumin historik të votave të PD-së. (Le të mos harrojmë se PD-ja mori 600 mijë vota në 1997-ën, kur nuk mund të bënte fushatë poshtë Shkumbinit, dhe kur qindra mijëra shqiptarë, kishin humbur kursimet e jetës në skemat piramidale të lejuara dhe të inkurajuara nga PD-ja – shihni grafikun shoqërues).

Dhe vijmë në ditët e sotme, kur banorët e Astirit kërkojnë dëmshpërblim për banesat e bizneset që do të prishen, për t’i hapur rrugë modernizimit të segmentit të Unazës së madhe të Tiranës. Deputetë të PD-së dhe vetë Basha, u janë bashkuar atyre në protesta. Kuptohet që, në radhë të parë, e bëjnë këtë për t’i shtuar vota PD-së…

Por, a mund të ketë moral Basha, të jetë në ballë të protestave të atyre hallexhinjve, kur vjehrrit të tij i dha qeveria miliona euro pas 18 majit të vjetshëm, për një pallat të ndërtuar ilegalisht mbi detin e të gjithë shqiptarëve?  Basha ndoshta e zgjidhi problemin e vjehrrit, vetëm me një takim kokë më kokë me Ramën, ndërsa banorët e Astirit duhet të djegin goma e të përplasen me policinë, për të marrë ca thërrime…

Siç e ka theksuar Jozefina Topalli së fundmi, protesta e Astirit të kujton protestën e Kalimashit (ku banorët e Kukësit protestonin për taksën 5 euro të kalimit në tunel). Deputetët e PD-së dhe Basha, atëherë deklaruan se nuk do të lejonin kurrë një taksë për kalimin e tunelit. Por nuk u ndjenë fare, pas rifillimit të taksës (e zvogëluar vetëm për banorët e Kukësit). Ndoshta ndonjë marrëveshje e nëndheshme Rama-Basha, mund ta ketë shkaktuar këtë gjë…

Në mënyrë të ngjashme, e kaluara mund të përsëritet në ditët ose javët në vijim. Në mos vjehrrit, kunatit të Bashës mund t’i ofrohet diçka nga Rama dhe papritur, banorët e Astirit mund të gjenden në të njëjtën varkë me banorët e Kukësit – të braktisur nga Basha dhe PD-ja e tij.

Ndoshta janë pikërisht këto pirueta të Bashës, që e kanë çuar PD-në në minimumin historik të votave të saj. Dhe duket se, nuk ka shumë shpresë që, sa të jetë Basha në krye të PD-së, ajo të rikthehet në kuotat normale të saj. Në sondazhin tim të fundit, PD-ja ishte në nivelin e vetëm 490 mijë votave. Ndërsa, nga sondazhi më i fundit i Gallupi-it, rezultonte se pothuaj 80% e të rinjve shqiptarë deri në 29 vjeç, duan të emigrojnë nga Shqipëria. As Rama dhe as Basha duket se nuk u japin shpresë për të ardhmen…

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU