BANJA NE SHIFRA/ Si u ringrit nga hiri hidrocentrali 30 vjeçar

Janë dashur plot 30 vjet që të marrë jetë Hidrocentrali i Banjës, një vepër energjitike që u projektua nga inxhinierët e Institutit të Studimeve e Projektimeve të Tiranës që në vitin 1986. Në atë kohë ai nuk u quajt thjesht hidrocentral i Banjës, mbasi vepra nuk ishte vetëm për të prodhuar energji elektrike, pa e ndotur mjedisin, por rëndësi vepra do të kishte edhe për zhvillimin e bujqësisë në Shqipëri. Prandaj u quajt kompleksi hidroenergjetik i Banjës, vepër e cila filloi të ndërtohej më 15 qershor 1986. Kompleksi hidroenergjetik i Banjës, që është ndërtuar mbi lumin Devoll rreth 25 km. larg qytetit të Elbasanit dhe rreth 15 km. larg qytetit të Gramshit, përveç përfitimeve ekonomike ka avantazhet e tija në ekologji. Ky hidrocentral i përbërë nga dy grupe veprash, cilësohet si një vepër e mirëfilltë ekologjike për dy arsye kryesore: Së pari, përfundimi i tij do të prodhonte 250 milionë kilovat/orë energji elektrike në vit pa e ndotur mjedisin dhe për rrjedhim shtohet me 17% prodhimi i energjisë në rang kombëtarë. Së dyti, përveç prodhimit të energjisë elektrike ky hidrocentral me basenin e tij do të shfrytëzohet edhe për të ujitur tokat e zhuritura nga nxehtësia e verës, duke hapur rrugën e krijimit të fermave ekologjike me perspektivë në zhvillimin e agroturizmit. Sot është finalizuar edhe faza e pare e punimeve ne kete hidrocentral, ne nje aktivitet ku kane marre pjese Kryeministri Rama, Ministri Energjitikes Gjiknuri si dhe drejtues te lartë te firmës norvegjeze qe ka kryer punimet per realizimin e kesaj vepre madhore energjitike.

Historiku

Në vitin 1990 punimet në hidrocentralin e Banjës kishin arritur në 50%. Zhvillimet e reja demokratike, bënë që Banja të mbetej peng i ndryshimit të sistemeve. Në vitet e tranzicionit hidrocentrali i Banjës iu nënshtrua shkatërrimeve duke shtuar këtu edhe faktorët natyralë. Shumë vite më vonë, Ministria e Ekonomisë, me datën 21 nëntor 2007 zhvilloi tenderin për shfrytëzimin me koncesion të rezervës hidrike të lumit Devoll. EVN AG, Statkraft AS dhe Devoll Hydropoëer nënshkruan një marrëveshje koncesioni që në 2009 për projektimin, financimin, ndërtimin, pronësinë, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Projektit Hidroenergjetik mbi lumin e Devollit. Ndërtimi i hidrocentralit nisi në vitin 2013 dhe do të zgjasë në total rreth 6 vite. Hidrocentrali i parë futet në operim sot në vitin 2016 dhe i fundit në vitin 2019.

Rama: Përfitimet kolosale nga HEC i Banjës

Kryeministri Rama e cilësoi HEC-in e Banjës me rëndësi strategjike për rritjen e prodhimit të energjisë në vend. Sipas tij ky HEC bën që kapaciteti prodhues i energjisë elektrike të rritet me 17%.

“Është një nga ato momente që krijojnë shpresë dhe optimizëm të bazuar tek e ardhmja. Është një moment historik për të gjithë këtë zonë që sot çlirohet nga makthi i izolimit. Sot nis një rrugë të re drejtë të ardhmes, për tu bërë në vitet që vijnë, një nga zonat më të vizituara të vendit tonë, për potencialin e vet natyror dhe turistik, deri më sot vetëm një ëndërr që i ngjante një iluzioni. Ky moment është rezultat i një bashkëpunimi shembullor mes qeverisë shqiptare dhe njërës prej kompanive më të shquara në botë, në sektorin e zhvillimit energjetik. Nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm tërësor pa zhvillim të qëndrueshëm energjetik. HEC-i i Banjës është vepra e parë e përfunduar në projektin e kaskadës së Devollit, u punësuan 2000 punonjës dhe kapaciteti i rezervuarit të këtij hidrocentrali ka një volum total prej 400 miliardë litra ujë, në një sipërfaqe prej 14 km2. Dhe m.q.s jemi një vend i lidhur me futbollit, sipërfaqja e barabartë me 2000 fusha futbolli. Në përfundim projekti do të ketë një kapacitet që rrit me 17% kapacitetin prodhues të vendit. Realizimi i kësaj vepre ka lidhur organikisht të gjitha njësitë administrative dhe fshatrat përgjatë rrugës së re drejt Gramshit. Kjo vepër është një shembull fantastik, sesi nga një anë interesi privat prodhon energji dhe përfitim dhe nga ana tjetër një komunitet i tërë përfiton një cilësi të re jete. Vetëm në këtë zonë janë ndërtuar dhe janë drejt përfundimit afro 100 km rrugë të reja. E theksoj këtë. Vetëm në këtë zonë janë 97 km dhe 14 ura, ndër të cilat ura më e gjatë sot në Shqipëri, 520 m, e cila është një vepër vërtetë e shkëlqyer inxhinierike, por edhe një urë që ofron një pamje fantastike të liqenit të ri”, u shpreh Rama.

Sipas Ramës, projekti ka edhe efekte mjedisore në vend. HEC-i disiplinon ujërat e lumit të Devollit, duke evituar përmbytjet dhe krijon mundësi të reja vaditëse deri në Myzeqe.

Kryeministri Rama u ndal sërish te bursa e energjisë, duke theksuar se kjo do të krijonte mundësinë që nga energjia të përfitojë e gjithë shoqëria.

Reforma në energji synon një treg të lirë energjie për të bërë të mundur edhe atë që nënvizoi drejtuesi i Statkraft, që nga prodhimi i kësaj vepre, këtij kompleksi hidroenergjetik, apo i HEC-ve të tjera të përfitojë drejtpërdrejt konsumatori shqiptar jo në mënyrë direkte, por që energjia të mos shkojë e gjitha për eksport. Do krijojmë bursën e energjisë, për të qenë aktorë në tregun rajonal, çka e bën sektorin e energjisë në Shqipëri një aset prej të cilit të përfitojë e gjithë shoqëria“, theksoi Rama.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU