Mediat britanike në një analizë të fundit theksojnë se grupet kriminale shqiptare po zgjerojnë territorin, ndërsa fitimet po ashtu janë të mëdha në trafikun e drogës, armëve, por jo vetëm.
Edhe në raportin e fundit të publikuar në qershor nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) pranohej se “Mafia Shqiptare” ka kontroll të fortë mbi tregun e trafikimit të drogës në Britani.
“Heroina është droga tradicionalisht e kontrabanduar nga kriminelët e Ballkanit për shkak të vendndodhjes së tyre në gjurmët e opiumit nga Afganistani në Evropë” thotë Steve Bennett, zëvendësdrejtor i qendrës kombëtare të inteligjencës të NCA.
“Por shqiptarët zbuluan se mund të bëhen fitime shumë më të mëdha me kokainë. Britania ka një treg të gjallë në atë lloj droge, prandaj ata janë tërhequr për ngritjen e operacioneve këtu“.
Bennett thotë se bandat shqiptare po zgjerohen që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1990. Si për ironi shkruan ai, në muajin korrik, Ermal Hoxha – nipi i diktatorit Enver Hoxha, u dënua në Shqiperi për trafik droge nga Amerika Latine.
Sipas tij shqiptarët e trafikojnë vetë tashmë kokainën nga Amerika Latine për ta shpërndarë në Londër dhe të gjithë Britaninë e Madhe.
Në gusht u prangos njëri nga bosët e drogës në Britani me origjinë shqiptare, Klodjan Copja bashkë me disa pjesëtarë të grupit, ndërsa kokaina e transportuar nga grupi që ai drejtonte llogaritet në 60 mln Paund.
Në prill u shkatërrua një tjetër grup kriminal shqiptar, ndërsa 5 anëtarë u dënuan 100 vite burg për trafik kokaine, por lufta sipas tij ende vijon.
Shqiptarët përbëjnë gjithashtu një nga grupet më të mëdha të emigrantëve të paligjshëm në Britani të Madhe. /a.ç