Balla: Propozimi i PD pengon vettingun e vërtetë të politikanëve

Nisma e Partisë Demokratike dhe opozitës në tërësi për vettingun në politikë ka qenë tema kryesore e “Top Talk” për këtë të hënë në ekranin e Top Channel, ku i ftuari i gazetarit Denis Dyrnjaja ka qenë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Propozimi i PD-së është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, ndërkohë që nga Partia Socialiste në pushtet garantohet gatishmëria për një vetting edhe në politikë, por siç u shpreh Balla, për një vetting të vërtetë.

“Pikërisht për këtë arsye, – thotë Balla, – kemi mbështetur nga dita e parë Reformën në Drejtësi, e cila imponon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe të Prokurorisë speciale antikorrupsion SPAK, dy institucione që bëjnë realisht vettingun e plotë të politikës shqiptare”.

Me këtë, kreu i grupit parlamentar socialist duket se i shmanget propozimit të PD-së, që me fjalë të tjera bën fjalë për një “katarsis” të politikës nga vet politika, ndërsa Reforma në Drejtësi ka si objektivin e saj më madhor pastrimin e drejtësisë, përfshi gjykatës e prokurorë, nga të paaftit apo të korruptuarit.

Propozimin e PD-së, Balla e quan “shumë të dobët”, që në vlerësimin e tij është përpjekja e fundit e Partisë Demokratike për të penguar Reformën në Drejtësi, pasi siç thotë, nuk ka shqiptarë e shqiptare që bëson se politikanët mund të bëjnë vettingun e politikanëve, “sepse është sikur t’i lesh Sali Berishës të bëjë vettingun e Taulant Ballës, apo e kundërta”.

“Është i dobët, sepse pikë së pari, politikanët nuk mund të bëjnë vettingun e vetvetes. Së dyti, në materialin e paraqitur mungon hetimi i korrupsionit 27-vjeçar dhe të pasurive që politikanët kanë ngritur përmes tij”, thekson Taulant Balla.

I pyetur se përse nuk e shton pozita këtë pikë në draftpropozimin e PD-së, Balla thotë se aktualisht ndodhen në pikën ku opozita thotë “miratoni këtë draft, ose ramë e vdiqëm”.

Për të mbështetur pretendimin e tij se kjo është thjesht përpjekja e fundit e PD-së për të penguar SPAK-un dhe BKH-në, Balla sjell shembullin e Prokurorisë speciale antikorrupsion në Rumani, që ka arritur të vendosë pas hekurave 13 ministra, 38 deputetë e senatorë.

Në këtë pikë, kreu i grupit parlamentar socialist ka theksuar edhe ndarjen e botëkuptimeve mes dy forcave kundërshtare politike në Shqipëri, PS-së në pushtet dhe PD-së në opozitë.

“Këta po bëjnë një përpjekje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve, ndërkohë që ne prej ditës së parë kemi mbështetur SPAK-un (Prokurorinë speciale antikorrupsion) dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, të cilat janë dy institucione tërësisht të pavarura nga politika, të vetmet që mund të bëjnë një hetim dhe ndëshkim të korrupsionit 27-vjeçar në Shqipëri”, theksoi Taulant Balla.

Sipas tij, varianti i sjellë në Kuvend nga opozita është tejet i dobët, e për më tepër pengon vettingun në politikë, jo ta kryejë atë, në kohën kur kanë mbetur pak javë apo muaj përpara ngritjes së dy institucioneve bazë të vettingut të politikës.

/b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU