Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga deputetët Ervin Bushat e Blerina Gjylameti, zëvendësministrja e Drejtësisë Teuta Vodo, si dhe zëvendësministri i Brendshëm Julian Hodaj, nisi një vizitë zyrtare në Bundestag dhe Qeverinë gjermane. Delegacioni zhvilloi paraditen e sotme takim me Joachim Pfeiffer, anëtar i parlamentin gjerman në grupin e CDU/CSU.
Gjatë fjalës së tij z. Balla theksoi tre çështje të rëndësishme. E para lidhet me vendimin e PE për procesin e parapërgatitjes së Shqipërisë në hapjen e negociatave qershorin e ardhshëm, ku në këtë kuadër Shqipëria ka në fokus Reformën në Drejtësi, e cila po ecën në rrugën e duhur dhe së shpejti do të ngrihen institucionet e reja të drejtësisë. Procesi i Vettingut në radhët e drejtësisë është drejt përfundimit, për t’i hapur më pas rrugën për krijimin e KED dhe KPK. Çështja e dytë e ngritur në takim ishte Reforma Zgjedhore, ku vetë qeveria gjermane është investuar në këtë reformë. Për herë te parë në draftin e përgatitur janë pasqyruar të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE për procesin zgjedhor që nga 2013. Lufta ndaj krimit të organizuar ishte çështja e tretë e diskutuar në takim, e cila po jep çdo ditë rezultate edhe më të mira, sidomos për sa i përket kultivimit të kanabisit. Shembull i qartë i kësaj lufte është edhe renditja e Tiranës si kryeqyteti më i sigurt në Evropë.
Nga ana e tij deputeti gjerman shfaqi interes te madh për rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe të investimeve të huaja. Z. Pfeiffer ofroi mbështetjen e tij për rritjen e investimeve të kompanive gjermane në vendin tonë, sidomos në fushën e infrastrukturës, turizmit dhe agro-kulturës. Ai theksoi se perspektiva e Shqipërisë patjetër që është Bashkimi Europian dhe këtë bindje e krijon edhe fal fjalëve të shkëlqyera që dëgjon për Shqipërinë nga kolegët e tij.
Në fund të takimit zoti Balla shprehu angazhimin e tij konkret, edhe si Kryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri- Gjermani, në ndërtimin e një pakete lehtësuese për thithjen e investimeve gjermane. Shumë shpejt një delegacion me deputetë gjermanë dhe investitorë të fushave të turizmit, agro-kulturës, infrastrukturës do të vizitojnë Shqipërinë për të parë nga afër potencialin e Shqipërisë në këto fusha.