Aurela Hoxha: Ju rrëfej skenat e mia lakuriq në film

Protagonistja e re e filmit me gjysmë milion klikime në YouTube, “Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna 3”, është një “showgirl” e njohur, Aurela Hoxha. Në këtë rol kinemaje ajo tejkalon pamjen e vajzës së bukur, për të sjellë dramën e vajzës hakmarrëse.

Ka marrë guximin të shfaqet me skena sensuale gjatë dushit, ndaj rrëfen më shumë se si ndihet brenda dhe jashtë rolit përkrah aktorëve Diellza Kolgeci, Florian Agalliu, Çun Lajçi, apo partnerit të saj në film, Xhevdet Jasharit.

Në këtë intervistë për “Panoramën” flet për udhëtimet e shumta dhe jetën e luksit që bën, si dhe çfarë fshihet pas fotos komprometuese me fotografin e famshëm, Mariano Vivanco, në javën e modës në Milano.

Si është të luash në një film që xhirohet në Bjeshkë dhe si ndodhi që u bëre pjesë e kastit të aktorëve?

“Dashuria e Bjeshkëve të Nemuna” ka qenë një film që e kam dashur shumë vite më parë. Serinë e parë të këtij filmi e kam parë shumë e vogël, dhe kam qenë fanse shumë e madhe. Mbaj mend që bjeshkët dhe historitë që zhvilloheshin aty ishin të dëgjuara nga histori të vjetra të gjyshërve të mi, ndaj isha kurioze se nuk kisha mundur kurrë t’i vizitoja. Dhe kur më erdhi propozimi për të qenë pjesë e këtij kasti, më pëlqeu shumë. Ishte hera e parë që vizitoja Rugovën e bukur, dhe hera e parë që pashë më në fund bjeshkë, ndaj isha e mrekulluar. Përfundimisht e dua ajrin, pamjen qetësuese dhe çdo detaj të bjeshkës, sidomos në vjeshtë.

Si mund ta përshkruash transformimin që pësove për rolin e vajzës së keqe, Larisës?

Për përshtatjen time me rolin është pak herët të flas, pasi jemi vetëm në fillim të xhirimeve. Deri tani ndihem shumë mirë, qoftë me rolin, gjithashtu me pjesën tjetër të kastit.

Luan në këtë film me një nga vajzat e bukura të Kosovës, Diellza Kolgecin. Si e menaxhon xhelozinë e saj ndaj teje, nëse i referohemi skenarit?

Akoma nuk kemi arritur te kjo pikë, pasi kemi xhiruar vetëm pjesën e parë ku Diellza njihet me Larisën, pra me mua. Dhe më shumë se xheloze, është kurioze të njohë kolegen e burrit të saj, dhe pse ajo duhet të jetë pikërisht e bukur. Në këtë seri unë me Diellzën kemi dialog, ndaj besoj që Larisa do ta bëjë Diellzën ta shohë si mike, më shumë se si rivale. Kjo është për t’u parë…

Në jetë je ndier ndonjëherë e xhelozuar nga femrat dhe çfarë bën në të tilla raste?

Mendoj që edhe në jetën time kam shumë aftësi për të bërë njerëzit për vete, sidomos femrat. Dhe nuk mendoj që pasi njihen me mua, kanë më vend për xhelozi. (qesh)

Rikthehemi te një skenë e “Dashuri në Bjeshkët e Nemuma”, ku ti shfaqesh e zhveshur në dush. Si është të guxosh në kinema dhe çfarë komentesh ke marrë deri tani?

Në të vërtetë ajo ishte një pjesë, së cilës unë iu tremba, sepse është hera ime e parë që guxoj aq shumë. Por duke qenë pjesë e filmit, isha e bindur që nuk do të merrja komente jo të mira, kjo sepse jemi përpjekur mos të ketë asgjë vulgare, por të jetë sa më artistike. Dhe kështu realisht ndodhi, ndaj mund të them se nuk kam marrë komente jo të mira. Është “abuzuar”, nëse mund ta quajmë kështu, pak me titujt në portale, megjithatë dhe kjo ishte e pritshme. Gjithsesi, dua të theksoj që roli im në film është shumë kompleks, ka një dramë të vërtetë brenda. Personazhi im, Larisa, ka kaluar një fëmijëri të vështirë, ajo është e mbushur me mllef dhe inat, dhe vjen për të çuar në vend drejtësinë, për t’u hakmarrë për një padrejtësi. Është një ngjarje shumë e bukur, e shkruar nga Ekrem Kryeziu, kjo që zhvillohet në film. Me pak fjalë, Larisa në film flet shumë më tepër se me pamjen e saj, por kjo do të shihet në vazhdim.

Nga prezantimi, moda deri te kinemaja. Në cilën botë dëshiron të dominosh?

Mbaj mend intervistat e mia të para, dhe po shikoj që nuk ka ndryshuar asgjë. (qesh) Atëherë thosha e dua median, televizionin, modën, dhe vetëm aty e gjej veten. Këtë më vjen të them edhe tani, pasi e gjej shumë veten në modë, në çdo aktivitet që marr pjesë dhe ndihem jashtëzakonisht mirë në prezantim po ashtu. Jam shumë vetja dhe ndihem jashtëzakonisht unë. Gjithashtu, kjo është eksperienca ime e tretë në film, dhe po e shijoj në maksimum. Kështu që sinqerisht nuk di t’i ndaj.

Në javën e modës në Milano, një foto e jotja u bë objekt komentesh në rrjetet sociale, pasi ishe në shoqërinë e një djali që nuk i dukej portreti. Për kë bëhet fjalë?

(Qesh) Sikur ta kisha mbajtur fshehur dhe mos ta bëja tag, do e kuptoja, ose mos të ishte aq i njohur. Megjithatë, ai është një ndër fotografët më të famshëm, Mariano Vivanco. U takuam në sfilatën e D2, dhe aty filluam të flisnim dhe u bëmë shumë miq. U bëmë miq gjithashtu në ing, ose më saktë më bëri back, se unë e kisha. Pas asaj ishim në festën e Dolce & Gabbana- s, ku edhe kërcyem. Postova disa foto, ku e bëra tag, kaq. Asgjë për të aluduar në fakt.

Shumë udhëtime nëpër botë që dëshmojnë jetën e luksit që ti bën. Është vërtet gjithçka ashtu siç duket?

Po. Unë udhëtoj shumë dhe është një ndër kënaqësitë më të mëdha që kam. Sa për jetë luksi nuk do ta quaja kështu, sepse është shumë fjalë e madhe sipas meje. Megjithatë, luksi për mua është të kesh mundësi të bësh atë që do, dhe të lumturohesh me atë që ke. Unë këtë e kam pasur gjithmonë, sepse unë kënaqem me gjëra që më bëjnë të lumtur, dhe këto gjëra nuk lidhen me vlerën e tyre monetare. Dhe ky është bekim sipas meje.

Çfarë ka jo të bukur në këtë stil të jetuari?

Jo të bukur në jetën time nuk ka asgjë. Ka ulje-ngritje në jetën time, si në jetën e gjithsecilit, por kjo është normale, besoj. Kjo është jeta.

Sa i takon jetës private ka ndodhur ndonjë ndryshim? Ndonjë histori e re dashurie?

Jeta ime private do të vazhdojë të mbetet e tillë.

“Panorama Plus”

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU