“As historia, as emocionet nuk do të lejojnë multinacionalizmin në Ballkan”

Nga Linda Karadaku

Debatet e kohëve të fundit lidhur me një marrëveshje përfundimtare apo një zgjidhje përfundimtare të një lloj konflikti të ngrirë midis Kosovës së Pavarur dhe Serbisë së Pavarur, në fakt në thelb nuk kanë asgjë të re. I gjithë diskutimi politik, emocional apo praktik (cështja e liqenit të Ujmanit, Trepca, apo koridori 10 që kalon në Luginën e Preshevës), kanë në esencë dilemën e lashtë evropiane dhe globale, a janë më të qëndrueshme shtetet nacionale apo multinacionale; a është më e drejtë të kemi shtete nacionale apo multinacionale; a është e mundur të kemi shtete nacionale apo multinacionale, a duhet të kemi shtete nacionale apo multinacionale.

Presidenti i ndjerë kontravers kroat, Franjo Tugjman, i konsideruar gjerësisht hero i kroatëve dhe njeriu që udhëhoqi vendin në luftërat e përgjakshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, i cili pas vdekjes u pasua në detyrë nga Presidenti Stipe Mesic, ka një shpjegim, të nxjerrë në një nga mijëra transkriptet e bisedave të përgjuara nga vetë ai, në zyrën e tij, në takimet me zyrtarë të ndryshëm, të cilat, pas vdekjes së tij, në një masë të madhe, u bënë publike.

“Le të bëjmë një marrëveshje me serbët. Multinacionalizmin në Ballkan nuk do ta lejojnë as historia, as emocionet. Ne duhet ti japim fund iluzionit të 8 viteve të fundit…Dayton nuk po funksionon. Askush – me përjashtim të diplomatëve dhe zyrtarëve të vegjël – beson në një Bosnjë sovrane dhe në marrëveshjet e Dayton-it,” i thotë Tugjman një zyrtari.

Nuk është secret fakti që në Ballkan ka njerëz dhe liderë që mendojnë se historia dhe emocionet nuk do ta lejojnë multinacionalizmin, pra, nuk do të lejojnë shtete të qëndrueshme shumëetnike. Dhe kjo është pjesërisht e drejtë. Por po aq e drejtë është që secili shtet në Ballkan ka pakica kombëtare dhe po aq e drejtë dhe e vërtetë është se popujt në rajon kanë ditur të bashkëjetojnë me njëri-tjetrin, në të mirë dhe në të keq.  Multinacionalizmi në Ballkan është sulmuar, dëmtuar dhe në disa vende, shkatërruar, pikërisht nga liderë që kanë qenë të bindur dhe e kanë pasur aksiomë këtë mendim, që multinacionalizmi në Ballkan nuk mund të funksionojë apo qe jane bazuar ne idene raciste te “superioritetit” te nje kombi mbi tjetrin.

Bosnja funksionoi si shoqëri dhe shtet shumëetnik deri në momentin kur Milloshevici në Beograd vendosi që shtëti shumëetnik i Bosnjës duhet të ishte mono-etnik, që serbët e Kroacisë duhet të kishin një shtet të vetin monoetnik, që Mali i Zi duhej të mbetej satelit mono-etnik, që Kosova duhej të “pastrohej” nga shqiptarët, për të qenë pjesë e “qëndrueshme” e shtetit monoetnik serb.

Fatkeqësia është që pikërisht pakicat kombëtare janë përdorur dhe keqpërdorur në luftërat ballkanike për të shkatërruar shtetet shumëetnike, duke iu ofruar iluzionin e të qënit pjesë e një shteti shumëetnik. Sic beri Milloshevici. Fakti nga ana tjetër, mbetet që sido që t’i vizatosh dhe ri-vizatosh kufijtë në Ballkan, është e pamundur që të kesh shtete monoetnike. Thjeshtë e pamundur! Thjeshtë jo-funksionale!

Gjyshi im është nga Lugina e Preshevës, gjyshja ime nga Gjilani. Si gazetare e Zerit të Amerikës, kam mbuluar disa luftëra, përfshirë konfliktin në Luginën e Preshevës. Do doja shumë të kisha mundësi të shkoja atje lart në majë të malit, lirisht, të kulla e gurit të gjyshit, ashtu sic shkoj tani në Gjilan. Ky është emocion, histori dhe e drejtë njerëzore. Dhe e drejtë! Por e drejta dhe realiteti nuk përputhen gjithmonë. Pyetja një-milion dollarëshe mbetet ende enigma: Cfarë do kërkojnë shteti serb në këmbim, nëse na jep Luginën e Preshevës? Pyetja e dytë është: A do të na jepte gjithë Luginën e Preshevës apo pjesë, fshatra të saj?

Për t’iu rikthyer aty ku nisi, megjithë përpjekjet prej shekujsh dhe dekadash, shteti serb nuk arriti megjithatë të bëhet shtet monoetnik. Ende ka brenda vetes pakica kombëtare. Po kështu, në lidhje me shqiptarët, ky shtet nuk është tërhequr kurrë nga tokat e banuara me shqiptarë, pa gjak, shumë gjak dhe shumë ndërhyrje ndërkombëtare.

A do ta bëjë tani…????

President ii Serbisë kërkon një zgjidhje përfundimtare pajtimi me shqiptarët. Një zgjidhje e tillë, nëse do të ishte vërtetë e sinqertë dhe me një vizion afatgjatë, do të duhej të përballej me dy gjëra: historinë e afërt prej dy dekadash dhe gjendjen faktike në terren.  Tugjmani do thoshte, përballje me historinë dhe emocionet. Në të dyja pikëshikimet dhe në cfarëdo plani për zgjidhje përfundimtare, baza e marrëveshjes do të duhej të përcaktonte nëse kjo zgjidhje bazohet në mono-etnicitet apo multi-etnicitet. Kosova e ka bërë zgjedhjen e vet, është shtet shumëetnik dhe pakicat në të kanë shumë më shumë të drejta sesa kanë pasur apo kanë shqiptarët në Luginën e Preshevës.

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU