Policia është shumë pranë zbardhjes së grabitjes spektakolare në Rinas, ku u morën para disa ditësh 3.2 mln dollarë. Deri më tani bëhet me dije se pas aksioneve të FNSH-së dhe RENEA-s në Vorë dhe Prezë, janë arrestuar 4 persona.
Policia dyshon se janë 4 nga 6 autorët e grabitjes në Rinas. Dy të tjerët janë shpallur në kërkim.
Dyshohet se dy prej grabitësve kanë qenë ish efektivë të focave speciale komando. Gjatë aksionit masiv të policisë, efektivët kanë mundur të gjejnë një sasi të parave të grabitura në Rinas. Numri serial i valutës rezulton të jetë i njëjti.
Dy prej tyre janë arrestuar në Vorë dhe dy të tjerë gjatë aksionit në Fushë-Prezë.
Ndërkohë, në operacionin e kryer në Vorë, policia ka mundur të identifikojë apartamentin ku qëndronin grabitësit, pas konstatimit të njërës prej makinave me të cilën u larguan grabitësit ditën e vjedhjes së 3.2 mln dollarëve.
Sakaq Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri ka thirru me urgjencë një takim në Drejtorinë e Policisë Tiranë, mes tij, drejtorit të përgjithshëm Haki Çako dhe atë të policisë së kryeqytetit Ervin Hodaj.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social Ministri Tahiri ka njoftuar se ka lajme të mira nga ana e policisë. Një konferencë për shtyp do të jepet në orën e 18:15 për të përcjellë rezultatet e aksionit policor.
OPERACIONI NË VORË, zbulohet banesa e autoreve
Operacioni masiv që nisi disa orë më parë nga policia e shtetit ka përfunduar dhe pavarësisht se autorët nuk janë kapur, është gjetur më në fund vendi ku autorët e grabitjes së Rinasit kanë qëndruar. Bëhet fjalë për një apartament në një kompleks pallatesh në Vorë. Policia ka gjetur apartamentin, por ai ka qenë bosh.
Efektivët e policisë kanë arrestuar një person, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije.
Informacioni për vendndodhjen e grabitësve në këtë zonë të Vorës është bërë pasi është pikasur makina me të cilën grabitësit janë larguar nga skena e ngjarjes, pas grabitjes dhe djegies së makinave.
Në operacionin e policisë merrnin pjesë efektivë të FNSH-së dhe forcave Renea si dhe shefi i krimeve në polici, Ardian Çipa./java/a.k