Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, pjesë e kongresit të arkivave në Zvicër

 Në Luzanë të Zvicrës në kongresin e 75-të të Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit -FIAF merr pjesë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit. Në kongres marrin pjesë 166 institucione nga 75 vende dhe 360 përfaqësues arkivash shkëmbejnë eksperienca.

Drejtuesja e AQSHF-së, Iris Elezi, prezantoi përpara të ftuarve Arkivin e Filmit Shqiptar në panelin mbi të kaluarën dhe të ardhmen e arkivave të filmit. Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992.

Në fondin filmik të arkivit të filmit gjenden gjithashtu materiale arkivale të grumbulluara nga privatizimi i të gjithë filmave artistikë, dokumentarë dhe kronika të prodhimit të huaj, që nga shfaqjet e para luftës deri në përfundim të luftës së dytë botërore, të konsideruara plaçkë lufte.

Po ashtu janë materiale filmike të depozituara sipas ligjit të depozitës legale të ushtruar që në vitin 1945, kur sipas marrëveshjeve të reja shtetërore rifillojnë xhirimet e kineastëve të huaj. Materiale nga dorëzimi i një kopjeje të prodhimit të huaj të blerë nga distribucioni shtetëror apo dhe materiale nga xhirime arkivale.

Koleksioni i AQSHF vazhdon të pasurohet nga prodhimi kinematografik shqiptar dhe bashkëpunimet e huaja me kompanitë shqiptare private të prodhimit filmik të cilat kanë filluar prej vitit 1992.

AQSHF ruan dhe mbron edhe materiale të tjera të historisë së krijimit filmik, si skenarin letrar, skenarin regjisorial, listën e montazhit, fotografi dhe negativa të fotove.

/a.rada

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU