Apeli shpall të pafajshëm ish-Kreun e INUK, Zyhdi Dajti

Ish-Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Zyhdi Dajti është shpallur i pafajshëm nga ana e Gjykatës së Apelit në Tiranë, lidhur me akuzat që rëndonin ndaj tij për shpërdorim detyre.

Në seancën gjyqësore, të mbajtur ditën e sotme, gjykata vendosi të hedhë poshtë Prokurorinë e cila kërkonte 1 vit burg për Dajtin dhe ta lërë atë të lirë. Sipas gjykatës, fakti penal për çështjen e ngritur nga Dajtit nuk ekziston.

Dajti akuzohej se në cilësinë e kreut të Inspektoriatit Ndërtimor, ka prishur në korrik të vitit 2014 një objekt dykatësh, pjesë e një kompleksi turistik në zonën e Golemit, i cili kishte dokumentacion të rregullt.

Sipas dosjes së Prokurorisë, vila ishte ndërtuar në vitin 1996, kishte leje ndërtimi e miratuar sipas planit rregullues të vendimit të KRRTRSH-së të vitit 1996 për ndërtimin e kompleksit të parë turistik në zonën Golemit.

Më herët, në Maj të vitit 2016, Dajti ishte shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, vendim ky i apeluar nga ana e Prokurorisë në Gjykatën e Apelit. /b.d

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU